Moti i keq, pas dëborës, akulli "pushton" akset rrugore
KUKëS- Pas reshjeve të dëborës që përfshinë verilindjen e vendit gjatë ditës së djeshme, sot është akulli që "ka pushtuar" akset rrugore të zonës duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Moti i keq ka vështirësuar punën në Portin e Durërsit, ndërsa njoftohet mbërritja me vonesë e trageteve. "Vetëm në segmentin Shëmri -Qafë Shllak po përdorim një borëpastruese, pasi në akset e tjera rrugore është akulli që ka vështirësuar lëvizjen e mjeteve", tha sot drejtori i ndërmarrjes rajonale të Mirëmbajtjes së Rrugëve, Rushit Gashi, duke shtuar se për këtë arsye për mbajtjen hapur të akseve rrugore po punohet kryesisht përmes hedhjes së skorjes e kripës. Sipas Gashit, është është hedhur disa herë kripë në segmentin e autostradës Kukës-Morin, 4 kamionë me kripë janë hedhur në segmentin Kukës - Qafë Shllak, dhe nga 2 kamionë me kripë në segmentet Kukës - Nangë, Kukës - Krumë etj. Kripë është hedhur edhe në rrugët kryesore të qytetit për shkak të akullit të krijuar. "Hedhja e kripës në rrugët kryesore do të vazhdojë gjatë gjithjë ditës së sotme për shkak të temperaturave mjaft të ulta që krijojnë shtresë akulli në trasetë e rrugës", shtoi Gashi. Ndërkohë, në akset kryesore rrugore janë përforcuar postblloqet e Policisë, të cilat nuk lejojnë lëvizjen e mjeteve pa zinxhirë, ndonëse deri tani të gjitha akset rrugore nacionale konsiderohen të kalueshme. "Pavarësisht situatës së krijuar, deri tani nuk kemi patur bllokim të aksit kryesor rrugor që lidh Shqipërinë me Kosovën, as ndonjë rast aksidenti". bëjnë të ditur burime zyrtare të Policisë lokale. Ndonëse trashësia e borës nuk i kalon të 20 centimetrat, si rrjedhojë e shtresave të akullit, të bllokuara janë komunat e Grykë Cajës, Zapodit, Kalisit dhe Arrnit në rrethin e Kukësit, akset rrugore të të cilave menaxhohen nga ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve rurale dhe komunat. Porti i Durresit Deti i trazuar dhe era e fortë nga veriu kanë karakterizuar orët e fundit kushtet metereologjike në rajonin e Durrësit. Në portin detar ka mbërritur vetëm një nga tragetet e linjës Bari-Durrës, ndërsa pritet dhe një traget tjetër i së njëjtës linjë; bënë të ditur burime nga kapiteneria e portit. (d.b/BalkanWeb)