Zannier: Situata në Kosovë e qëndrueshme por e brishtë
Duke folur për rrethanat në Kosovë, i dërguar special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së tha se situata në vend është e qëndrueshme por e brishtë.Ai përmendi disa raste në veriun e Kosovës ku ka patur përleshje mes shqiptarëve dhe serbëve. Ndërtimi i shtëpive nga shqiptarët përtej vijës së rënë dakord nga administrata e UNMIK-ut në Kosovë, tha ai, shkaktoi zemërim tek serbët të cilët i vunë zjarrin një makine.“Është e qartë se UNMIK-u duhet të vazhdojë të mbikëqyrë procesin e rindërtimit dhe vëzhgojë situatën nga afër për tu siguruar se të gjitha komunitete respektojnë marrëveshjet ekzistuese për të siguruar stabilitetin dhe mbarëvajtjen e komunikimit të efektshëm.”Në raportin e fundit të lëshuar nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, thuhet se ndërkohë që tensionet kanë rënë dukshëm në veri të vendit, ende vazhdojnë të ndodhin incidente në Mitrovicën veriore, që është një shkak për tu shqetësuar. I dërguari special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Zannier tha se situata në Mitrovicë kërkon përpjekje të qëndrueshme dhe angazhim të vazhdueshëm me popullsinë e atyre zonave. Ai tha se është i nevojshëm vazhdimi i konsultimeve dhe bashkëpunimit me të gjithë faktorët e rëndësishëm.Shefi i UNMIK-ut, Zannier theksoi mirëkuptimin me autoritetet e Kosovës mbi rolin e mundshëm të kësaj organizate për të promovuar zhvillim ekonomik dhe qëndrueshmëri. Ai tha se stabiliteti afatgjatë dhe zhvillimi i Kosovës varet nga suksesi që do të ketë procesi i ripajtimit mes komuniteteve. (VOA/start)