E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Qeveria dorëzoi raportet për fizibilitetin dhe vizat

Qeveria e Kosovës dorëzoi të premten kontributin final për Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ndërsa të shtunën do të dorëzojë edhe raportin e gatishmërisë për procesin e liberalizimit të vizave.
 

Kështu ka njoftuar Ministria e Integrimit Evropian sipas së cilës, raporti final i dorëzuar të premten paraqet aktin përmbyllës dhe kontributin final të institucioneve të Kosovës. Ky raport sipas kësaj ministrie, përmbledh progresin e arritur në periudhën qershor-shtator.
 

“Në përgatitjen e raportit kanë kontribuar të gjitha institucionet shtetërore dhe raporti paraqet progresin e arritur në miratimin dhe zbatimin e legjislacionit, avancimit të kapaciteteve institucionale dhe përafrimin me legjislacionin dhe politikat e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.
 

Gjatë takimit të Këshillit të Bashkimit Evropian të 28 shkurtit 2012, Këshilli ka marr parasysh mendimin e Komisionit Europian për fillimin e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.
 

Në këtë drejtim me 7 maj 2012, Komisioni Europian ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës pyetësorin për përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit, ndërsa me 18 maj 2012, Komisioni Europian ka dorëzuar pyetje shtesë, raporton Zëri.
 

Me 8 qershor 2012, Qeveria në afro 2.000 faqe ka dorëzuar në Komision Europian përgjigjet në pyetësorin për Studimin e Fizibilitetit.
Gjatë 18-22 qershor në Kosovë ka qëndruar misioni fakt-mbledhës i cili ka mbledhur fakte rreth gjendjes në vend në raport me mundësinë e zhvillimit të mëtejmë të procesit të Stabilizim Asociimit, gjeresisht të negocimit dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›