Pakistan, shfaqet videoja e “kamikazit të CIA-s”
Një stacion televiziv në Pakistan ka bërë publike një video ku tregohet kamikazi, i cili vrau tetë vetë në një bazë ushtarake amerikane në Afganistan javën e kaluar, përfshi edhe shtatë agjentë të CIA-s. Në atë video, një njeri me mjekër dhe me uniformë ushtarake, i cili thuhet se është një agjent i dyfishtë jordanez, i quajtur Humam Kalil Abu-Mulal al-Balaui, thotë se ai po e planifikon sulmin për t’u hakmarrë për vdekjen e udhëheqësit të Talebanëve në Pakistan, Baitullah Mehsud. Z. Mehsud u vra në një sulm amerikan me raketë në muajin gusht. Njeriu në atë video thotë se hakmarrja për vdekjen e z. Mehsud duhet marr brenda dhe jashtë Amerikës. Autenticiteti i videos ende nuk është konfirmuar nga autoritetet në vend.
Shkurt
Maqedoni
150 mijë të larguar pas heqjes së vizave
Mbi 150 mijë persona janë larguar nga Maqedonia, që kur Bashkimi Europian miratoi heqjen e regjimit të vizave. Lajmin e bëjnë të ditur mediat maqedonase, të cilat iu referohen të dhënave pranë Ministrisë së Jashtme lokale. Sipas këtyre të fundit, shifra në fjalë është regjistruar nga 19 dhjetori e deri në fillim të javës. Nga këta 150 mijë, vetëm 60 janë kthyer në vendlindje përmes pikave kufitare nga të cilat kishin dalë. Burimet shtojnë se me heqjen e regjimit të vizave 10 mijë shtetas maqedonas kanë shkuar në Greqi, nga të cilët janë kthyer vetëm tre vetë.
Kroaci
Mesiç: “Do të doja që Tadiç të ishte me mua”
Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç ka deklaruar se nuk ka arsye përse presidenti serb Boris Tadiç të hidhërohet për shkak të vizitës së tij në Kosovë. “Do ta vlerësoja nëse ai do të kishte ardhur me mua dhe së bashku të takonim presidentin e Kosovës dhe popullin e saj, që na ka pritur përzemërsisht”, ka pohuar Mesiç.
Presidenti serb Boris Tadiç reagoi ndaj vizitës së Mesiç në Kosovë duke deklaruar se ajo prish marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë dhe se Mesiç i lë një barrë të madhe pasardhësit të tij.
11 Janar 2010