Pensioni i reduktuar, kushtet për përfitimin e tij
Jonida Tashi
Personat që kanë plotësuar 35 vite pune dhe kanë mbushur moshën 62 vjec, mund të marrin pension pleqërie, por të reduktuar. Kjo zgjidhje është menduar që t’u ofrohet, burrave që kanë mbushur moshën 62 vjeç si dhe grave që janë 57 vjeç. Por gjithmonë të gjithë këta persona duhet të plotësojnë patjetër vitet e nevojshme të punës, në mënyrë që të mund të marrin këtë masë pensioni. Në rast se e marrin këtë pagesë, gjatë gjithë kohës ajo do të jetë e reduktuar, pra edhe në rast se mbushin moshën e nevojshme për të përfituar pension të plotë pleqërie, ai do të vazhdojë të jetë i reduktuar. Sipas ligjit, të gjithë pensionistët që dalin në pension të reduktuar, do humbasin 0,6 për qind të vlerës së pensionit të tyre. Kjo vlerë do të llogaritet në bazë të moshës, pra pjesa e paplotësuar e moshës do të shumëzohet me këtë koeficient për të përllogaritur më pas masën e përfitimit.
Llogaritja
Kështu, në rast se një person del në pension në moshën 63 vjeç, atëherë pjesa e mbetur e muajve që janë 24, shumëzohet me koeficientin 0.6 për qind dhe llogaritet shuma e parave që do ti zbritet masës së pensionit. Megjithatë edhe këta pensionistë, do të mund të përfitojnë nga rritjet e ndryshme që bëhen me vendim qeverie si dhe indeksimi vjetor që i bëhet që të gjitha kategorive të pensioneve. Sipas ISSH-së, zgjedhja e përfitimit të pensionit të reduktuar mund të bëhet për arsye të ndryshme, megjithatë sipas të dhënave, rezulton se shumica e përfituesve janë pikërisht ata që largohen jashtë shtetit me familjet e tyre.
Kërkesa paraprake
Personat që janë duke plotësuar moshën për të dalë në pension, mund të bëjnë një kërkesë paraprake pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore pesë muaj para afatit të daljes në pension. Kështu gjatë kohës që janë ende duke kryer profesionin dhe marrin rrogë, degët e ISSH-së, kanë mundësi të shqyrtojnë të gjitha dokumentet që ju duhen si dhe të evidentojnë mangësitë që mund të kenë kërkuesit për të përfituar pension. Kërkesa paraprake paraqitet nga vetë personi, ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, ose nga kujdestari ose nga familjari i tij i identifikuar me dokumentin përkatës. Kjo kërkesë së bashku me dokumentet paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) të vendbanimit të personit të interesuar. Personi i interesuar duhet të paraqesë edhe certifikatën e lindjes me fotografi, fotokopjen e librezës së punës, fotokopjen e vërtetimeve të tjera që provojnë vjetërsinë në punë si dhe fotokopjen e librezës së kontributeve të paguara pas datës 1 janar 1994. Nëse nuk paraqiten fotokopjet e këtyre dokumenteve, për ata që nuk i disponojnë, procedura do të vijojë mbi bazën e deklarimit të të dhënave nga personi i interesuar.
Informimi
Në kohën që i interesuari për pension paraqet kërkesën, informohet me shkrim nga inspektori pritës për datën kur i lind e drejta për pension si dhe për procedurën që do ndiqet me dokumentet paraprake. Më pas, ALSSH-ja pranon kërkesën me dokumentet e paraqitura si dhe bën regjistrimin e kërkesës në një regjistër të veçantë. Në regjistër shënohet: Numri rendor, data e paraqitjes së kërkesës, emri, atësia, mbiemri dhe adresa e plotë e kërkuesit. Me dokumentet e kërkuesit krijohet një dosje dhe në kapakun e parë të dosjes shënohet numri i kërkesës, emri, atësia, mbiemri dhe adresa e plotë e kërkuesit. Në rastet kur dokumentacioni i periudhës së sigurimit, ndodhet në Drejtorinë Rajonale, ku kërkuesi ka qendrën e banimit, ALSSH-ja që pret dokumentet, organizon edhe verifikimin e tyre. Afati i verifikimit në këtë rast do jetë 30 ditë kalendarike nga data e dorëzimit të kërkesës paraprake.
Dokumentet për të marrë pension
Certifikatë lindje me fotografi
Certifikatë e gjendjes familjare
Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në
certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë lindje, martese ose vdekje
Librezë pune ose vërtetim arkivi
Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj
Vërtetim për periudhën e sigurimit lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të ISSH
Vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativat bujqësore për ish-anëtarët e saj
Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë
Vërtetim nga dega ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Për personat që përfitojnë nga Ligji Nr 7514 datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politike”
Vërtetim page që nga viti 1994 dhe në vazhdim
Vërtetim tip nga kontributet për të vetëpunësuarit
Vërtetim toke në Kadastër
Vërtetim shkolle për fëmijët nga 16-18 vjeç, si dhe vërtetim shkolle për studentët deri në moshën 25 vjeç
Vërtetim komune për ndihmë ekonomike
Vërtetim nga tatim-taksat
Deklaratë
Të dhëna
Me pension të reduktuar mund të trajtohen personat që kanë plotësuar 35 vite pune dhe kanë mbushur moshën 62 vjeç, mund të marrin pension pleqërie, por të reduktuar
Kjo zgjidhje u ofrohet, burrave që kanë mbushur moshën 62 vjeç si dhe grave që janë 57 vjeç
Sipas ligjit, të gjithë pensionistët që dalin në pension të reduktuar, do humbasin 0,6 për qind të vlerës së pensionit të tyre
Paga maksimale dhe minimale e pensionit, për kategorinë e tretë të pensionistëve, varion nga 8650 lekë, deri në 7350 lekë
Pensioni i reduktuar nuk është i detyrueshëm, por është një zgjedhje e lirë e personave që janë në prag të daljes në pension
Të interesuarve që u afrohet koha për të përfituar një pension pleqërie, duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim në zyrat rajonale të ISSH-së, 5 muaj para plotësimit të kushteve për pension
Në kohën që i interesuari për pension paraqet kërkesën, informohet me shkrim nga inspektori pritës për datën kur i lind e drejta për pension si dhe për procedurën që do ndiqet me dokumentet paraprake
23 Maj 2008