Kosovë, Tahiri do të takohet me Cooperin
Në prag të rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi, kryesuesja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, do të zhvillojë një takim me ndërmjetësin e BE-së, Robert Cooper, në Prishtinë. Tahiri nuk ka dashur të prononcohet për median për takimin, por u ka thënë gazetarëve se pas takimit me Cooperin do të mbajë një konferencë.
Temat për raundin e ri të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ende nuk janë caktuar, ndonëse paralajmërimet janë se do të bisedohet për vulat doganore. Përderisa zyrtarë serbë kundërshtojnë mundësinë e pranimit të vulave doganore dhe shuarjen e strukturave paralele, pala kosovare kundërshton kategorikisht ndryshim të vulave doganore, të cilat mbajnë mbishkrimin Republika e Kosovës.