Kosovë, “Vetëvendosje”: Nuk do i djegim mandatet

Të paktën në ditën e parë të punës në Kuvend, deputetët e “Vetëvendosjes” do të sillen të njëjtë, si gjithë të tjerët. Ata priten të betohen para Kushtetutës aktuale të Republikës së Kosovës dhe flamurit me 6 yjet.
Këtë e ka lënë të kuptohet deputeti i kësaj lëvizjeje, Liburn Aliu, që ka thënë se “procedurat teknike” nuk do të bëjnë që ata të humbasin mandatet. “Janë thjesht procedura teknike, që i kemi kryer edhe më herët, kur jemi certifikuar dhe kur kemi marrë vendim për të hyrë në zgjedhje. Në asnjë mënyrë nuk do të rrezikojmë mandatet në Parlament, sepse hyrja në të është një mjet tjetër për të realizuar qëllimin tonë”, ka thënë Aliu.
Sekretaria e Kuvendit të Kosovës ka paralajmëruar se deputetëve të “Vetëvendosjes” mund të merren mandatet nëse nuk bëjnë betimin. Aliu, gjithashtu ka thënë se “Vetëvendosja” do të vazhdojnë edhe me organizime në rrugë, në mënyrë që të kundërshtojë negociatat e reja me Serbinë dhe shitjen e pronave publike të Kosovës.