E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Në Korcë s’ka grekë

Nga Express më 09 shkurt 2011 në ora 14:00

Historiania Valentina Leskaj në emisionin "Top Show" në Top Channel deklaroi se në Korçë historikisht ka pasur shqiptarë greqishtfolës, por asnjëherë qytetarë me etni greke.

Ajo kritikoi deklaratën e konsullit grek në Shqipëri, Theodoros Ikonomu, duke quajtur atë si joreale.

“Deklarata është absurde dhe joreale, joreale sepse përbërja historike dhe aktuale e Korçës është shqiptare. Grekët nisin kërkesat e tyre mbi bazën e registrave osmanë ku regjistrimi bëhej mbi baza fetare dhe jo mbi baza etnike. Pikërisht me këto dokumente grekët u paraqitën në Konferencën e Ambasadorëve ku kërkesa e tyre u hodh poshtë nga Italia. Në Korçë ka pasur greqishtfolës, por jo grekë. Shqiptarët u mësonin fëmijëve të tyre greqisht për t’i shkolluar”, tha Leskaj.

Për historianin tjetër të ftuar në studio, Paskal Milo mes palës shqiptare dhe asaj greke ka qëndrime dhe reagime asimetrike.

Ai tha se diplomatët shqiptarë në Greqi nuk kanë bërë kurrë deklarata të tilla, pavarësisht se kanë vizituar zona të banuara nga shqiptarë ortodoksë në Greqi.

Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Oketa, kërkoi në komisionin e Jashtëm të Kuvendit shpalljen “non grata“ të konsullit grek në Korçë.

Më 5 shkurt, Ikonomus bëri thirrje për ndryshim masiv të kombësisë, ndërsa u kërkoi minoritarëve të mos tremben dhe të regjistrohen si grekë.

Edhe përfaqësuesi i ministrisë së Jashtme në këtë komision, Gazmend Turdiu dënoi deklaratat e konsullit duke i quajtur “të papranueshme” dhe “jashtë marrëdhënieve mes dy vendeve”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›