E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Vetëvendosje mbyll protestën në pikat kufitare

PRISHTINE - Lëvizja "Vetëvendosje" në orët e para të së hënës ka vendosur ta mbyllë protestën edhe pranë pikës doganore në Merdarë, disa orë pasi që e njëjta kishte marrë fund afër pikëkalimit te Dheu i Bardhë.

"Për shkak të kufizimeve që janë bërë nga policia në aspektin logjistik dhe temperaturës së ulët që po mbizotëron atje, është bërë i pamundur qëndrimi i sigurt i protestuesve në Merdarë", thuhet në një deklaratë shtypi të "Vetëvendosjes!" dërguar pak pas orës 2 të ditës së hënë.

Vetëvendosje shpjegon se në orën 00:30 Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin Veton Dragusha, i cili ishte i angazhuar në bartjen e batanijeve, ushqimit, reflektorëve, e sendeve tjera, duke i konfiskuar ato.
"Në orën 01:35, përfaqësuesit e Lëvizjes 'Vetëvendosje' e kanë mbyllur protestën e sotme në Merdarë që ishte organizuar në mbrojtje të Republikës dhe prodhimeve të vendit. Në shenjë përgjegjësie për mirëqenien e protestuesve, udhëheqësit e lëvizjes u kanë kërkuar atyre që të shpërndahen në mënyrë të qetë.", thuhet në deklaratë.
Gjatë ditës së sotme “Vetëvendosje" pritet të zhvillojë një mbledhje të Kryesisë ku do të vendoset për hapat e mëtejshëm.

22 JANAR
RECIPROCITETI, VV KALON NATËN NË PIKAT KUFITARE, POLICIA BLINDON ZONËN
Aktivistët e Vetëvendosje përgatiten për të kaluar natën në dy pikat kufitare, edhe pse plicia e Kosovës bën thirrje që të shpërhndahen. Ata janë të vendosur të mos lejojnë kalimin e asnjë kamioni me mallra serbe nga këto dy pika. Të ulur këmbëkryq në rrugë, me këngë e rrirrje kundër qeverisë e Serbisë, aktivistët e VV po sfidojnë edhe temperaturat e ulëta.

Kjo është protesta e dytë e Lëvizjes Vetëvendosja në dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, edhe pse Kuvendi i Kosovës votoi të premten mocionin që rrëzon atë të 7 dhjetorit për reciprocitet me Serbinë dhe mbështet marrëveshjet e arritura me Beogradin në kuadër të dialogut. Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul në masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke bllokuar të gjitha mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Një masë e tillë reciprociteti qe vendosur nga vetë qeveria në muajin korrik, për t’u hequr në vjeshtë, pas marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Që në nisje të protestës (ora 13:00) aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë lejuar nga ana e Policisë së Kosovës, që të shkojnë deri te pikat kufitare në Merdare dhe te Dheu i Bardhë. Ata kanë qendraur disa km larg këtyre pikave, por ia kanë dalë të mos lejojnë asnjë kamion serb drejt Kosovës,sic raportojnë medait kosovare. Vetë nënkryetari i VV, Shpend Ahmeti tha për News 24 se reciprotiteti është vendosur në këto pika. Ndërsa policia ka njoftuar përmes një komunikate për media, se gjatë ditës së sotme në pikë-kalimin kufitar në Merdarë, kanë kaluar pesë kamionë me mallra të ndryshme, si dhe tre të tjerë kanë kaluar në pikë-kalimin kufitar Dheu i Bardhë, pa përcaktuar se çfarë tabela kishin këto automjete.

Lideri i Vetvendosje Albin Kurti i është bashkuar që në nisje protestës në Podujevë, ndërsa foli për një tubim paqësor që do vazhdojë edhe gjatë orëve të natës, deri në vendosjen e plotë të reciprocitetit, sic tha ai. Policia deklaratë: Nuk ka asnjë incident.

Ashtu si në protestën e 14 janarit, aktivistët e nisur nga Shqipëria janë përballur me probleme në pikën kufitare të Morinës, ku janë ndaluar për rreth 7 orë. Me ndërhyrjen e Avokatit të Popullit të Kosovës, Sami Kurteshi aktivistët nga Shqipëria janë lejuar të hyjnë në Kosovë në këmbë, për t'iu bashkuar protestës së Vetvendosje.

VV: AKTIVISTËT TË VAZHDOJNË TË QETË PROTESTËN
22:30- Vazhdon edhe natën protesta e Lëvizjes Vetëvendosje në dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Merdare dhe Dheu i Bardhë.
Subjekti politik i përfaqësuar në Kuvendin kosovar me 12 deputetë deklaroi sot në mbrëmje se, “nuk ka synim t’i marrë nën kontroll pikat kufitare, por të bëj të mundur që të merren nën kontroll nga shteti i Kosovës”.
Lëvizja Vetëvendosje në njoftimet e saj të fundit thekson edhe se, sikurse tek Dheu i Bardhë, ashtu edhe në Merdare, udhëheqësit e saj, i kanë bërë vazhdimisht thirrje protestuesve që të jenë të qetë dhe të matur. Ata thanë se “kushdo që nuk i përmbahet skenarit paqësor do të konsiderohet se nuk është pjesë e Lëvizjes dhe se nuk janë të mirëseardhur të qëndrojnë në mesin e protestuesve”.

NDËRROHEN POLICËT NË MERDARË
Ora 22:10- Në Merdarë, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, sapo është realizuar ndërrimi i policëve. Policët që kishin qëndruar deri më tani në kordonin e krijuar për të bllokuar protestuesit e Vetëvendosjes që të kalojnë për në Merdarë, kanë kaluar rresht për dy nëpër protestues. Policët u duartrokitën nga protestuesit, duke brohoritur “Policia është e jona, jo e Qeverisë”.

AHMETI: DO QENDROJMË KËTU
Ora 21:45- Vijon e qetë protesta e Vetëvendosjes në dy pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare dhe te Dheu i Bardhë, ndërkohë që aktivistët e Vetëvendosje deklarojnë se do të vazhdojnë protestën nëse nuk largohen me forcë nga policia. Shpend Ahmeti, nënkryetari i VV-së, deklaron “Do qendrojmë këtu, policia nuk ka ndërhyrë deri më tani”. “Po mundohen të na lodhin, duke penguar mjetet logjistike e ushqimin…ata paralajmërojnë të shpërndahemi, por ne nuk do lëvizim”, tha ai ndërsa u shpreh se presin tu bashkohen edhe dy autobusa nga Shqipëria. Ai shtoi se në këto pika nuk është bllokuar lëvizja e lirë e qytetarëve, por vetëm kamionët serbë.

Aktivistët e Vetëvendosje përgatiten për të kaluar natën në dy pikat kufitare, edhe pse plicia e Kosovës bën thirrje që të shpërhndahen. Ata janë të vendosur të mos lejojnë kalimin e asnjë kamioni me mallra serbe nga këto dy pika. Të ulur këmbëkryq në rrugë, me këngë e rrirrje kundër qeverisë e Serbisë, aktivistët e VV po sfidojnë edhe temperaturat e ulëta.

KELANI: PROTESTA E QETË, PARLAJMËROHET SE DO VAZHDOJË
Ora 20:40- Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës deklaroi se protesta e Vetëvendosje nisi e qetë, ndërsa tani në orët e mbrëmjes, numri i protestuesve është në rënie.
Nga terreni bëhet e ditur se protestuesit pranë dy vendkalimeve kufitare me Serbinë, Merdare dhe Dheu i Bardhë, kanë ndezur zjarre për t’u ngrohur në këtë mbrëmje të ftohtë dimri, ndërsa kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë edhe natën në protestë.

KURTI: PROTESTA EDHE GJATË NATËS
Ora 20:00- Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur ta kalojë natën në rrugë. Vetë Lideri i saj Albin Kurti, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka paralajmëruar vazhdimin e protestave në orët në vijim e në ditët në vijim.
“Do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe në orët në vijim, edhe në ditët në vijim, deri atëherë kur Qeveria e Kosovës do të thotë ‘tash do ta bëj shtetin e dinjitetshëm, do ta mbroj republikën’. Kufiri me Serbinë është ndërkombëtar, Serbia është shtet armik dhe nuk do të lejohet ndërhyja dhe hyrja e saj”, ka thënë Kurti, që po qëndron me protestuesit në dalje të Podujevës.

VV: POLICIA KONFISKOI MATERIALET LOGJISTIKE
Ora 19:10- Sipas një njoftimi të Vetëvendosje policia e Kosovës ka konfiskuar disa materiale logjistike, të cilat do të mundësonin mbarëvajtjen e protestës.
"Materialet e konfiskuara nga policia janë: 1 tendë, 10 reflektorë, 2 fuqi të zbrazëta për ngrohje, 1 fuçi me vaj për ngrohje dhe të gjitha mjetet e punës të cilat do të ndihmonin protestuesit në këto temperatura të ulëta. Bashkë me mjetet, Policia ka detyruar edhe aktivistët, Agron Kabashi, Agron Reka dhe Rexhep Sylejmani, që të shkojnë deri në stacionin policor në Gjilan. Kërkojmë nga Policia e Kosovës që urgjentisht të na i kthejë këto mjete të cilat janë shumë të nevojshme për mbarëvajtjen e protestës dhe shëndetin e protestuesve dhe ta respektojë të drejtën tonë për protestë paqësore", thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

VV: POLICIA PO SHKEL TË DREJTAT ELEMENTARE TË PROTESTUESVE
Ora 21:08- VV deklaron se policia e Kosovës po pengon qëllimisht depërtimin e ushqimit dhe materialeve logjistike, që janë esenciale për mirëqenien e protestuesve që po vazhdojnë të qëndrojnë atje, ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje.
"Policia kësaj radhe në vend të intervenimit po privon protestuesit nga gjërat elementare, si ushqim, pije dhe ngrohje, duke rrezikuar kështu shëndetin e të gjithë atyre që po vazhdojnë të qëndrojnë në protestë paqësore. E dënojmë këtë akt të dhunshëm. I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që të mundësojë furnizimin me ushqim, pije, e materiale të tjera të nevojshme për protestuesit dhe shëndetin e tyre. I bëjmë thirrje organizatave që po e mbikëqyrin protestën që të reagojnë ndaj presionit që po ushtrohet për të pamundësuar protestimin paqësor. I bëjmë thirrje medieve që të vazhdojnë të përcjellin ngjarjet në dy pikat ku po protestohet", thuhet më tej në njoftim.

VETVENDOSJE TENDA, USHQIM E NDRICIM, POLICIA BARRIKADA
Ora 19:00- Ndërkohë që protestuesit e Vetvendosje bëhen gati të kalojnë natën në dy pikat kufitare, edhe policia e Kosovës vendos barrikada anësh rrugës ku qendrojnë protestuesit, sic raportojnë mediat kosovare. Siç mësohet, kjo masë është marrë për ta mbajtur nën kontroll turmën e protestuesve
Ndërsa Vetëvendosje njofton se, Sekretariati për Logjistikë i kësaj lëvizjeje ka shpërndarë një vakt ushqim për protestuesit në orën 15:30-16:00, e gjithashtu ka dërguar drunj për ngrohje. “Në këto momente janë duke u vendosur tendat dhe ndriçimi për protestuesit dhe gazetarët”, thuhet në njoftimin e fundit të Vetëvendosjes.

QEVERIA: PROTESTA E PANVOJSHME
Ora 18:32- Qeveria e Kosovës ka ritheksuar edhe një herë faktin se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Sipas një deklarate të qeverisë, kjo e drejtë nuk duhet të keqpërdoret.
"Qeveria e Republikës së Kosovës është duke ndjekur nga afër zhvillimet e sotme që ndërlidhen me protestën politike të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo protestë që është krejtësisht e panevojshme dhe në kundërshtim me vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave, mirëpo Policia e Kosovës është përkujdesur që liria e lëvizjes të jetë e garantuar dhe që rrugët të mos bllokohen. Qeveria e Republikës së Kosovës i jep mbështetje të plotë Policisë së Kosovës në zbatimin e plotë të kompetencave ligjore për mos lejimin e bllokimit të rrugëve, pengimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe të mallrave, apo marrjen nën kontroll të pikave kufitare shtetërore", thuhet më tej në deklaratë.

AKTIVISTËT NGA SHQIPËRIA: KALIMI PËR NË KOSOVË ME KËMBË
Ora 18:00- Mbështetësi nga Shqipëria i protestës së Vetëvendosje, Bojken Abazi rrëfen për News 24 problemet me të cilat ata janë detyruar të përballen në pikën kufitare të Morinës. Sipas tij rreth 50-60 forca policie speciale kanë blinduar këtë pikë kufitare, duke ushtruar edhe dhunë mbi aktivistët që vinin nga Shqipëria.

Ai deklaron se lejimi i tyre është bërë pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit, ndërsa thotë se “Sapo kemi kaluar doganën e Kosovës, jemi në këmbë, nuk u lejuan autobusat tanë të kalonin. Jemi rreth 40 persona, pasi nga pritja e gjatë një pjesë u ftoh dhe nuk mundi të na ndiqte drejt Kosovës. Policia speciale e Kosovës gjuajti me shkelma nga këmbët aktivistët tanë, ndërsa pati edhe përplasje pas murit”, deklaroi Abazi.

ARRESTOHET NJË PROTESTUES TEK DHEU I BARDHE
Ora 17:33- Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në pikëkalimin kufitar të Dheut të Bardhë, pasi dëmtoi një veturë që po qarkullonte në këtë rrugë, sic deklaron policia e Kosovës.

AKTIVISTËT NGA SHQIPËRIA LEJOHEN TË HYJNË NË KOSOVË
Ora 17:27- 2 autobusë me aktivistë nga Shqipëria janë nisur sot paradite për në Kosovë, por ata janë ndalur në pikën kufitare të Morinës që prej orës 10:00. Policia e doganës së Kosovës ndaloi aktivistët me pretekstin se kishin mangësi në dokumenta, por me ndërhyrjen e Avokatit të Popullit të Kosovës, Sami Kurteshi është bërë i mundur kalimi i tyre drejt Kosovës, ku do të mbështesin protestën e Vetëvendosje me motin “Serbia nuk kalon”. Lejimi i aktivistëve të nisur nga Shqipëria është bërë sot rreth orës 17:00.

KUSARI-LILA: KJO ËSHTË BLLOKADË, S’DO KETË EFEKTIN QË SYNON
Ora 16:46- Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, në një prononcim për mediat e ka cilësuar protestë ne Vetvendosje si një bllokadë që sdo ketë efektin që synon. “Ajo çfarë po ndodhë s’ka lidhje me reciprocitet. Kjo është bllokadë. Dua të them se kjo formë nuk është e duhura dhe nuk do ta ketë efektin të cilin synohet të arrihet”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka zhvlerësuar tërësisht protestën e Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas saj, mallrat serbe nuk bllokohen nëse bllokohen dy pikëkalimet kufitare, ajo e Merdarës dhe Dheut të Bardhë. “Çdo firmë që importon mallra nga Serbia mund ta bëjë këtë përmes pikave tjera kufitare, siç janë pikat me Maqedoninë apo me Malin e Zi”, ka thënë ajo.

POLICIA: NË MERDARË KANË HYRË 5 KAMIONË, 3 TEK DHEU I BARDHË
Ora 16:10- Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar deklaratat e përfaqësuesve të Vetëvendosjes se sot në Merdarë nuk ka kaluar asnjë kamion nga Serbia, kurse te Dheu i Bardhë ka hyrë vetëm një maune. Sipas policisë, gjatë ditës se sotme në pikëkalimin kufitare Merdare kanë kaluar pesë kamionë me mallra të ndryshme, si dhe tre kamionë të tjerë kanë kaluar nëpër pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë.

SHPEND AHMETI: ASNJË KAMION SERB NUK KA HYRË NË MERDARË
Ora 15:50- Nënkryetari i Vetëvendosje Shpend Ahmeti në një bisedë telefonike për News 24 deklaron se në Merdarë nuk ka kaluar asnjë kamion me mallra serbe që prej nisjes së protestës, ndërsa shton se protestuesit do qëndrojnë aty derisa qeveria e Kosovës të pranojë reciprocitetin e plotë me Serbinë.
“Në Merdarë janë mbledhur me mijëra qytetarë, më shumë se në protestën e 14 janarit. Jemi 4 km prej kufirit dhe policia nuk na lejon të lëvizin më tej. Mund të them se që me vendosjen tonë këtu kemi pasur reciprocitet të plotë me Serbinë, pasi nuk ka kaluar asnjë kamion. Do qendrojmë këtu derisa qeveria të marrë vendim për reciprocitet të plotë”, tha Ahmeti.

AAK: PROTESTONI TË QETË
Ora 15:30- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës apelon për protestë të qetë dhe përmbajtje të policisë.“AAK shpreson që protesta, si e drejtë e patjetërsueshme qytetare, të jetë e qetë dhe pa incidente dhe, në të njëjtën kohë, shpreson që sot të mos përsëriten, si në javën e kaluar, skenat e njëjta të dhunës mbi protestuesit, të cilët janë qytetarë të Kosovës. AAK konsideron se vendimet e dala nga institucionet tona duhet të implementohen, po ashtu, nga institucionet e Kosovës dhe brenda tyre, sepse ato janë të obliguara për këtë”, thuhet në komunikatën e AAK’së. Deri në këto momente, AAK është partia e vetme që deklarohet për protestën e sotshme të Lëvizjes Vetëvendosje.

PROTESTA NË MERDARE VËZHGOHET EDHE NGA UILLIAM UOKER
Ora 15:20- Vazhdon e qetë protesta në Merdare. Si vëzhgues në këtë protestë përveç zyrtarëve të KMDLNJ-së, është parë të jetë edhe diplomati amerikan Uilliam Uoker. Protestuesit janë në pikën e njëjtë dhe po qëndrojnë përballë policisë. Ata nuk kanë tentuar të ecin përpara. Ne mesin e protestuesve janë edhe Albin Kurti, Shpend Ahmeti.

POLICIA: ASNJË INCIDENT
Ora: 15:00 - Policia e Kosovës ka njoftuar se deri tani nuk është regjistruar asnjë incident në të dy rrugët magjistralet që çojnë në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, në të cilat njëra korsi është bllokuar nga protestuesit e thirrur nga lëvizja Vetëvendosje.
“Deri më tani nga ana e protestuesve është bllokuar njëra korsi e magjistrales dhe mund të themi se situata është e qetë duke mos u evidentuar asnjë incident”, i tha Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Ai tha se varësisht nga ndryshimi i situatës, “Policia e Kosovës veprimet e veta do t’i ndërmarrë sipas procedurave dhe autorizimeve ligjore”.

KURTI: PROTESTA DERI NË RECIPROCITET
Ora: 14:25 - Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se pavarësisht akuzave dhe sulmeve të qeverisë, qytetarët erdhën edhe më masivisht në protestën e 22 janarit.“Siç po shihni policia me urdhrin e qeverisë së Kosovës, është ajo që ka bllokuar lirinë e lëvizjes dhe qarkullimin e lirë. Ne jemi kundër Serbisë, jo kundër Policisë së Kosovës. Ne jemi në mbrojtje të Republikës dhe prodhimit vendor”, - tha Kurti.

I pyetur në lidhje me afatin e protestës, Albin Kurti tha se “reciprociteti nuk ka afat”. "Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu, të bëjmë trysni për tu bllokuar mallrat serbe për të hyrë në Kosovë", - deklaroi Kurti

“Policia, tashmë na ka penguar në marshin tonë. Qëllimi ynë nuk është t’i bllokojmë qytetarët, por të bllokojmë Serbinë. Ne do të qëndrojmë këtu për t’i bërë trysni qeverisë për reciprocitet me Serbinë. Për momentin reciprocitet ka, pasi që prej fillimit të protestës nuk ka kaluar asnjë maune nga Serbia për në Kosovë, që do të thotë se protesta e vendosi reciprocitetin", - theksoi Kurti.

1000 PROTESTUES TE DHEU I BARDHË
Ora: 13:50- Rreth 10 autobusë që kanë sjellë protestuesit nga vende të ndryshme të Kosovës, janë ndaluar nga policia në udhëkryqin që çon në drejtim të Kamenicës, ndërsa protestuesit janë nisur në këmbë drejt kufirit Kosovë-Serbi, te Dheu i Bardhë.
Rruga nga pika ku janë ndalur autobusët, e deri te vendi ku janë grumbulluar herën e fundit protestuesit është rreth 2-3 kilometra. Sipas mediave në Kosovë, numri i protestuesve tashmë ka arritur në rreth 1000 persona dhe vijon të shtohet.

GRUMBULLOHEN PROTESTUESIT NË MERDARË
Ora: 13:15 - Protestuesit e Vetëvendosjes vijojnë të grumbullohen në të dy pikat kufitare, Merdarë dhe te Dheu i Bardhë. Siç raportojnë mediat kosovare, në rrugën Prishtinë-Podujevë tashmë ka shumë pika të kontrollit të Policisë, ku po kontrollohen pothuajse të gjitha makinat që përshkojnë këtë rrugë.
Mësohet se protestuesit kanë dalë në numër më të madh se herën e kaluar dhe aktualisht numërohen rreth 500. Ata janë grumbulluar mbi dhe nën urën në hyrje të fshatit Shtedim, Podujevë, duke brohoritur herë pas here “UÇK, UÇK” dhe “Vetëvendosje, Vetëvendosje”.
Policia është e vendosur në një distancë rreth 15 metra larg protestuesve, duke qëndruar në gjendje gatishmërie.
Rreth orës 12:00 nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje ka dalë lideri i saj, Albin Kurti. Ai ishte i shoqëruar nga nënkryetari Shpend Ahmeti, deputeti Florin Krasniqi dhe aktivistë tjerë të kësaj lëvizjeje me të cilët është nisur për në Merdare.

AKTIVISTËT NGA TIRANA BLLOKOHEN NË VERMICË
Ora: 13:05- Aktivistët e nisur nga Tirana në mbështetje të aksionit të lëvizjes Vetëvendosje vijojnë të jenë të bllokuar në Vermicë, pasi autoritetet kufitare nuk kanë lejuar kalimin e autobusëve të tyre.
Sipas aktivistëve, ata janë bllokuar në tokën neutrale, në Vermicë, pasi nuk lejohen të vijojnë as udhëtimin në këmbë. Ata shprehen të vendosur se do të vazhdojnë të presin derisa të lejohet kalimi i tyre drejt pikës kufitare të Merdarës, ku do t’i bashkohen mbështetësve të Vetëvendosjes.
Disa aktivistë shqiptarë tentuan të kalojnë në këmbë kufirin me Kosovën por u ndaluan nga policët kosovarë, të cilat janë të shumtë edhe në kufirin me vendin tonë.
Aktivistët Elvis Hoxha, Admir Harkulla, Gentian Sala, Bioken Abazi, Taulant Capa, Marsela Hoxhaj dhe Keidio Hoxha u ndaluan për rreth 30 minuta dhe tashmë vijojnë të qëndrojnë në tokën neutrale së bashku me mbështetësit e tjerë që u nisën nga Tirana në orët e para të mëngjesit.

AKTIVISTËT NGA TIRANA BLLOKOHEN NË KUFI
Ora: 12:50 - Aktivistët shqiptarë që janë drejtuar drejt Kosovës, në mbështetje të protestës së paralajmëruar të lëvizjes Vetëvendosje, janë përballur sërish me probleme në pikën kufitare të Morinës.
Aktivistët pretendojnë se autoritetet kufitare po vonojnë qëllimisht procedurat për të mos lejuar mbërritjen e tyre në kohë në protestën e paralajmëruar.

Sipas tyre, autoritetet kanë nxjerrë pretendimin se shoferi i autobusit nuk ka certifikatë mjekësore, ndësa ky i fundit është pajisur me lejen e drejtimit prej 2 muajsh, dhe domosdoshmërisht e ka bërë kontrollin mjekësor.
Njëri prej organizatorëve, Genti Sala bën të ditur se në kufi ka më tepër policë se në protestën e 14 janarit, ndërkohë që aktivistët janë kthyer sërish në tokën shqiptare.
“Këta e kanë mendjen që Serbinë ta lejojnë dhe Shqipërinë ta ndalojnë”- deklaroi Sala, duke theksuar se mbështetësit e Vetëvendosje-s janë të vendosur të presin.

POLICIA UDHEZON GAZETARET
Ora: 12:40 - Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate- raport informoi të dielën përfaqësuesit e medieve si të sillen dhe si të veprojnë në protestën e sotme të Vetëvndosjes.
Në këtë “raport informues” të policisë thuhet, se “Policia e Kosovës i mundëson opinionit publik që të ketë qasje në informacione dhe të dhëna mbi veprimtarinë e PK-së, dhe të drejtën e mediave për të raportuar në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me opinionin si dhe publikimin e informatave, deri në kufijtë ku nuk cenohet e drejta e individit, nuk pengohet ndjekja dhe hetimi i kryerësit të veprës inkriminuese ose nuk ndërhyn në procesin e zbatimi të ligjit”.
Ky raport synon ti shërbejë sigurisë tuaj, si dhe të shmang incidentet, rastet e mundshme, dhe pengimeve në kryerje të detyrave të ndërsjella, citon raporti.

VETEVENDOSJE 10 PYETJE PER THACIN
Sipas liderit të Vetëvendosje-s Albin Kurti, me ndërhyrjen e policisë në protestat e 14 janarit, iu hap rruga Serbisë ekonomikisht, ndërsa me mocionin e 20 janarit, iu hap edhe rruga politike.
Kurti ka folur edhe për dy takime të fshehta që sipas tij kryeministri Thaçi ka pasur me presidentin serb, Boris Tadiç, për të cilin ka parashtruar dhjetë pyetje, transmeton Radio Europa e Lire.
1. Ku dhe kur është marrë vendimi që Thaçi të takohet me Tadiçin?
2. Ku dhe kur saktësisht është takuar me kryetarin e Serbisë, Tadiç?
3. Kush tjetër ka marrë pjesë në këto takime, për çfarë kanë biseduar, çfarë i ka thënë Thaçi Tadiçit dhe çfarë Tadiçi Thaçit?
4. Me iniciativën dhe ndërmjetësimin e kujt janë zhvilluar secili prej këtyre dy takimeve?
5. Cilat ishin konkluzionet e takimeve?
6. Çka ka përfituar Kosova nga këto takime?
7. Çka ka përfituar Thaçi nga këto takime?
8. A ekziston transkripti dhe procesverbali i takimeve dhe nëse po, kush e ka?
9. Kë e ka informuar dhe kujt i ka raportuar Thaçi për këto takime?
10. A e kanë ditur kabineti qeveritar, presidenti dhe partia e tij, PDK, për këto takime?

POLICIA- PROTESTUESVE: MOS BLLOKONI RRUGËT
Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media, zbuloi planin operativ për 22 janarin, në të cilin u bëhet thirrje protestuesve që të mos bllokojnë rrugët dhe qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan. Policia e Kosovës bëri të ditur se do “të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve, si dhe mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që ”t’u shmangen të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe të mos bien pre e provokimeve”.

JAHJAGA PËRPJEKJE PËR TË PARANDALUAR PROTESTAT
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga zhvilloi takime me krerët e partive politike parlamentare, nga të cilët ka kërkuar që të gjejnë zgjidhje brenda institucioneve dhe përmes dialogut. Një ditë më parë ajo u takua me kryeministrin Hashim Thaçi, që është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala.

Më pas Jahjaga ka zhvilluar takime me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, dhe atë të Aleancës Kosova e re, Behxhet Pacollin.
Në takime të veçanta, sipas njoftimit për media, presidentja Jahjaga ka bashkëbiseduar me subjektet politike për çështjet në interes të vendit, me theks të posaçëm për zhvillimet aktuale politike në Kosovë.
Presidentja Jahjaga citohet të ketë thënë se “debati dhe procesi i vendimmarrjes duhet të zhvillohet në institucione të Kosovës dhe aty të kontribuohet në hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e politikave”.

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera PROTESTA E 14 JANARIT FOTO: Vetëvendosja sërish në protestë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›