Kosovë, ambasadat ende pa shërbime konsullore

Kanë kaluar rreth 100 ditë nga vendosja e diplomatëve të parë kosovarë nëpër botë dhe asgjë nuk dihet për punën e tyre. Lajmi i vetëm është se janë kthyer në Kosovë për festat e fundvitit. Madje, të klikosh në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Kosovës për misionet diplomatike - ky njoftim i shkurtër është lajmi i vetëm. Aty janë të shkruar emrat e të ngarkuarve me punë, por jo edhe adresat e përfaqësive diplomatike kosovare në 10 qendrat botërore, të punësuarit, ndonjë email zyrtar kontaktues apo edhe numër telefoni. Ato nuk ofrojnë as edhe një shërbim të vetëm konsullor. Shumë bashkatdhetarë të kthyer në vend për festa ankohen se nuk dinë asgjë për përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Por, Ministria e Jashtme e ka versionin e saj. Këshilltarja për media e ministrit Hyseni, Albana Beqiri, thotë se kjo çështje do të rregullohet pas kompletimit të kornizës ligjore. Beqiri thotë se misionet diplomatike kosovare kanë nisur veprimtarinë nga zeroja. Sipas saj, lajmi i mirë është se tashmë të gjithë përfaqësitë kanë objektet e tyre të marra me qira. Nga janari i 2009-s misionet diplomatike kosovare do të fillojnë të ushtrojnë disa shërbime të caktuara konsullore, kurse në disa vende evropiane, ku jeton numër i madh i shqiptarëve, do të hapen edhe zyra të konsullatës.