Zgjedhja e Presidentit, Mcllwham: Duhet të pranohet nga spektri politik – Kushtetuta flet qartë

Edhe pse është ende herët për çeljen e garës së zgjedhjes së Presidentit, debati është hapur, ndërsa pjesë e tij janë bërë dhe pëfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë. Zërave të Wollfarth, Sequi, Holtkemper apo dhe Sequi, i shtohet dhe ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Mcllwham. Për diplomaten britanike, “kreu i ri i shtetit shqiptar duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës së Shqipërisë”. Nga qyteti i Berati, ambasadorja Mcllwham ka theksuar se dokumenti themeltar e përcakton qartë zgjedhjen e presidentit të ri ndërsa ka shtuar se Presidenti duhet të pranohet nga spektri politik. Mcllëham insistoi se zgjedhja gjithsesi i përket politikës vendase dhe kreu i shtetit duhet të jetë një figurë e unitetit kombëtar. “Nuk na takon ne të shprehemi për zgjedhjen e presidentit të ri. Kjo është një çështje që i takon politikës shqiptare”- u shpreh Mcllwham. Ajo gjithashtu i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare të bashkëpunojë për reformat integruese të vendit ndërsa ka shtuar se Britania e Madhe do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Ndërkaq, dhe ambasadori i BE-së dhe OSBE-së kanë kërkuar një president konsensual dhe sipas Kushtetutës së vendit. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth ka theksuar se për zgjedhjen e presidentit duhet të ndiqet shembulli i Avokatit të Popullit në mënyrë që të bashkohen votat dhe të zgjidhet një president konsensual. Ndërsa ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi ka theksuar më herët se kreu i ri i shtetit shqiptar duhet të jetë bashkimi i të gjithë shqiptarëve. Por nga ana tjetër ambasadori Sequi ka theksuar se është klasa politike shqiptare ajo do të vendosë për mekanizmat e përzgjedhjes së tij, ndërsa dokumenti bazë mbetet Kushtetuta e vendit.
...