E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, fillon fushata sensibilizuese për regjistrimin

Në konferencën e organizuar nga Qeveria, Enti i Statistikave, dhe Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, u theksua fakti se ky do të jetë regjistrimi i parë pas 30 vjetësh.

Në këtë konferencë iu kërkua komuniteteve në Kosovë të jenë pjesë e këtij procesi të vlerësuar si të rëndësishëm për vendin për të evidentuar numrin e saktë të banorëve.

Ekspertët e demografisë vlerësojnë se numri i kosovarëvë arrin në më shumë se 2 milionë e 700 mijë (rreth 2.200.000 banorë brenda Kosovës (rezidentë) dhe rreth 500.000 jashtë vendit).

Sipas vlerësimit të Entit të Statistikës, përbërja etnike e popullsisë së Kosovës është 92 për qind shqiptarë, 5.3 për qind serbë dhe 2.7 për qind grupe tjera etnike.

Shifrat janë të përafërta, meqë në Kosovë nuk ka pasur regjistrim të plotë të popullsisë që nga vitit 1981. Ndërkohë, në vitin 1991 u bë një regjistrim i popullsisë, por pa pjesëmarrjen e shqiptarëve.

Kosova para gati një gjysëm shekulli numëronte një milion banorë. Gazeta tradicionale e Kosovës "Rilindja" në numrin e saj të 6 korrikut 1962, shkruante se "Kosova fitoi këto ditë banorin e njëmiliontë…".

Për të mësuar numrin e saktë të banorëve të Kosovës duhen pritur rezultatet e regjistrimit të vitit të ardhshëm, kur vendi mbush tre vjet si shtet i pavarur.
                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›