Kosovë, gazetarët investigativë kanosen nga qeveria
Blerina Olldashi
Gazetarët investigativë në Kosovë përballen me kërcënime nga zyrtarë të lartë dhe grupe të ndryshme interesi, të cilët pengojnë zbardhjen e rasteve të korrupsionit dhe të aferave të ndryshme. Edhe pse policia është treguar e gatshme të ofrojë mbrojtje për këta gazetarë, këta të fundit reagojnë ashpër ndaj figurave të larta të shtetit duke pretenduar se janë në rrezik për jetën. Vehbi Kajtazi, gazetar investigativ i së përditshmes “Koha Ditore” merret me raste të përfshirjes së zyrtarëve të lartë shtetërorë në korrupsion e deri tek hetimet, që u bëhen grupeve të ndryshme të interesit thotë se është kërcënuar edhe nga gjykatës të Kosovës. “Fillimisht jam kërcënuar nga i njëjti person dy herë brenda një periudhe njëvjeçare. Ai ka qenë një ish-komandant i UÇK-së dhe jam kërcënuar nga ai për shkak të disa shkrimeve, që kam bërë për vepra penale të djemve të tij. Ndërsa herën tjetër jam kërcënuar nga një gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, për shkak se kam shkruar se ai është nën hetime dhe po pritet që të ngrihet aktakuzë për përfshirje në vepra penale”, thotë Vehbi Kajtazi. Ai shprehet se është kërcënuar nëpërmjet telefonit. “Kërcënimet kanë qenë edhe me likuidim fizik, për shkak të shkrimeve, që kam bërë në gazetën “Koha Ditore”. Shkrimet e mia kanë të bëjnë me disa vepra penale të njerëzve, për të cilat unë kam raportuar dhe kjo sigurisht nuk u ka pëlqyer atyre dhe për këtë arsye unë jam kërcënuar”, thotë Vehbi Kajtazi, i cili po ashtu sqaron se pavarësisht kërcënimeve është i vendosur të vazhdojë punën. Policia e Kosovës nga ana e saj, thotë se disa herë janë njoftuar për raste të kërcënimit të gazetarëve. Baki Kelani, zëdhënës i policisë në Prishtinë shprehet se policia e Kosovës ka si synim që të mbrojë jetën e qytetarëve të Kosovës, ndërsa për gazetarët ai thotë se është i gatshme të ofrojë edhe siguri më të shtuar në varësi të natyrës së kërcënimit. “Një ndër objektivat strategjike të policisë së Kosovës është që të mbrojë jetën dhe pronën, të mbrojë të drejtat dhe liritë e njeriut, ku në këtë rast hyn edhe mbrojtja e gazetarëve nga kanosje të ndryshme, që mund t’u bëhen si dhe t’i trajtojë ata në mënyrë të barabartë duke përfshirë edhe kanosjet e gazetarëve”, thotë Baki Kelani. Asociacioni i gazetarëve profesionistë të Kosovës vetëm gjatë vitit të shkuar ka regjistruar 20 raste të kërcënimit të gazetarëve. Ymer Mushkolaj, drejtor i këtij asociacioni, thotë se fenomeni i kërcënimit të gazetarëve në Kosovë gjithnjë e më shumë po merr përmasa shqetësuese. “Me logjikën e institucioneve të Kosovës gazetarët në Kosovë nuk janë të rrezikuar, gazetarët kanë liri të plotë të shprehjes dhe fjalës. Mirëpo kjo nuk është e vërtetë. Ne normalisht nuk presim që në Kosovë gazetarët të vriten dhe të dëmtohen rëndë, sikur ndodh në shtete totalitare, por të kenë liri të fjalës”, thotë Ymer Mushkolaj. Për kërcënimet, që u bëhen gazetarëve në Kosovë sidomos atyre, që merren me tema investiguative kanë reaguar edhe shumë organizata ndërkombëtare. I fundit ishte reagimi i organizatës reporterë pa kufij, ku thuhet se ata nuk mund të pajtohen që hetimet e policisë nuk rezultojnë gjithmonë me sukses për identifikimin e kërcënuesit. Për më shumë për ta është tmerruese, kur shihen zyrtarët, që bëjnë çmos për t'i privuar mediat nga të drejtat legjitime të tyre.
24 Mars 2010