Legalizimet, lista e banorëve të Njësisë 2 në Tiranë që duan të paguajnë me letra me vlerë
Agjencia rajonale e ALUIZNI-it ka bërë publike dje listën e qytetarëve të njësisë bashkiake nr.2 të cilëve Agjencia e Legalizimeve u ka bërë gati dokumentacionin tekniko-ligjor për ligjërimin e objektit të tyre. Këta qytetarë sipas njoftimit të ALUIZNI-it nëse dëshirojnë të shlyejnë detyrimet financiare duke përdorur bonot e privatizimit ose siç quhen ndryshe letrat me vlerë, në përputhje me grafikun duhet të paraqiten pranë zyrave të drejtorisë rajonale në Tiranë për të dorëzuar kërkesën në mënyrë që sipas përcaktimeve të ligjit të mund të bëjnë pagesën e ligjërimit të objektit informal duke përdorur bonot e privatizimit. Në rast se nuk kanë letra me vlerë qytetarët në fjalë duhet të shlyejnë detyrimet financiare nëpërmjet parave. Në bazë të ligjit të legalizimeve banorët duhet të paguajnë për truallin e zënë. Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi për një sipërfaqe deri në 100 m2 është 100 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 200 m2 çmimi është 150 mijë lekë, për sipërfaqe deri në 300 m2 çmimi është 200 mijë lekë, për sipërfaqe deri në 400 m2 çmimi është 300 mijë lekë dhe për sipërfaqe deri në 500 m2 pagesa është 400 mijë lekë. Ndërsa për pacelat ndërtimore që ndodhen brenda vijave të verdha, banorët do të paguajnë për sipërfaqe deri në 100 m2 , 200 mijë lekë, për sipërfaqe derio në 200 m2, 300 mijë lekë, për sipërfaqe deri në 300 m2 , 400 mijë lekë, dhe për sipërfaqe deri në 300 m2 banorët do të paguajnë sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë. Në bazë të paketës financiare, objektet informale që kanë funksion social-ekonomik, vlera në lekë e parcelës ndërtimore do të llogaritet duke u bazuar në çmimin e tregut për m2 në momentin e kalimit të pronësisë. Për objektet informale me funksion të përzier, pra që përdoren për banim dhe për funksione ekonomike, për të llogaritur vlerën e parcelës ndërtimore do të aplikohet koeficienti i shfrytëzimit të banesës. Sipërfaqa që përdoret për banim do të paguhet me vlerat e parashikuara në ligjin e legalizimeve, ndërsa sipërfaqa që përdoret për aktivitete ekonomike do të paguhet sipas vlerës së tregut në momentin e kalimit të pronësisë. Likuidimi i vlerës së parcelës ndërtimore do të bëhet menjëherë për të gjitha objektet me funksion social-ekonomik në numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim nga ALUIZNI. Ndërsa për objektet informale me funksion banimi dhe funksion të përzier, likujdimi i parcelës ndërtimore mund të kryhet në disa mënyra. Në rast se pagesa kryhet menjëherë, pronari i objektit pa leje përfiton 20% zbritje të vlerës për sipërfaqen totale të parcelës. Një variant tjetër është pagesa brenda një viti me dy këste, ku kësti i parë të jetë jo më pak se 50% e vlerës, duke përfituar 10% zbritje në vlerën e këstit të dytë. ALUIZNI gjithashtu ka parashikuar dhe mundësinë e pagesës brenda tre viteve në rastet e pamundësisë së shlyerjes së këstit të dytë. Po kështu për shlyerjen e pagesës së parcelës ndërtimore subjektet mund të përfitojnë nga skema e kreditimit bankar.
24 Mars 2010