Moratinos dhe Bildt: Në samitin e ardhshëm, Kosova dhe Serbia
Pas bojkotimit të samitit të Bërdosë nga ana e Serbisë, ministri i Jashtëm i Spanjës, Migel Angel Morantinos ka deklaruar se në takimin e ardhshëm të liderëve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit do të marrin pjesë si Kosova, ashtu edhe Serbia. “Mendoj se ne do të kemi sukses që çdokush të marrë pjesë, duke e respektuar çdo ndjeshmëri dhe legalitet ndërkombëtar”, tha ministri Moratinos, në Bruksel. Të njëjtin mesazh ka përcjellë edhe ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, i cili duke iu referuar samitit të Sarajevës që do të mbahet në fund të majit apo në qershor, shpreh bindjen e tij se Bashkimi Europian duhet të sigurojë pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas Bildt, konferenca e mbajtur në fundjavë në Bërdo ka dëshmuar se edhe vetë shtetet e rajonit janë në gjendje të ndërmarrin iniciativën, duke shtuar se në Slloveni është zhvilluar një debat kualitativ. Sipas tij ajo që ka vështirësuar gjendjen është mospjesëmarrja e Serbisë. “Me mosardhjen e Serbisë ka humbur në një farë mënyre secili. Ka humbur Serbia, por edhe rajoni në përgjithësi. Serbia është një lojtar i rëndësishëm, sepse është vendi më i madh në rajon. Por kështu do të më vinte keq, sikur në konferencë të mos merrte pjesë edhe ndonjë vend më i vogël. Bashkëpunimi rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirës”, pohon Bildt. Sa i përket paralajmërimit të Spanjës për mbajtjen në fund të majit, apo në qershor në Sarajevë të samitit për Europën Juglindore, Bildt pohon se fillimisht duhet siguruar pjesëmarrja atje e të gjitha vendeve të rajonit. Ai është i bindur se ekziston mundësia e mbledhjes së të gjithë liderëve në një tavolinë të përbashkët.
24 Mars 2010