Cilësia e barnave, ngrihet sistemi i ri për efektet anësore
Jonida Tashi
Ngrihet për herë parë në vendin tonë një sistem i ri për efektet anësore të barnave. Bëhet fjalë për hapjen e sistemit të Farmakovigjilencës, i cili do të sigurojë cilësinë e barnave në tregun tonë farmaceutik. Me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, është ngritur grupi i punës për hartimin e akteve ligjore për Farmakovigjilencën, një sistem që në vendin tonë nuk ka ekzistuar prej vitesh. Me ngritjen e këtij sistemi, çdo pacient shqiptar do të dijë ku të drejtohet për të raportuar problemet që mund t’i shfaqen nga barnat që përdor për mjekimin e sëmundjeve, nga të cilat është i prekur. Sipas drejtorit të Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Besnik Jaka, struktura e re që po ngrihet do të mbledhë informacionet që do të raportojnë, jo vetëm pacientët, por dhe strukturat shëndetësore, mjekët e familjes, të shërbimit spitalor si në sektorin publik dhe atë privat. “Farmakovigjilencë do të thotë barna më të sigurta në treg, do të thotë që për çdo medikament që do të konsumojë pacienti të dihen efektet anësore, cilësia e tyre dhe efektshmëria në trajtimin mjekësor, njësoj siç e kanë të gjitha vendet e botës”,- tha Jakaj. Për funksionimin e Farmakovigjilencës në bazë të ligjit, çdo strukturë shëndetësore është e detyruar të raportojë pranë Qendrës së Kontrollit të Barnave (QKRB) për problemet që shfaqin medikamentet tek pacienti. Ndërsa vetë QKRB-ja, sipas sistemit të ri të Farmakovigjilencës duhet të raportojë pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe OBSH-së.
Sistemi i ri
Ministria e Shëndetësisë, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave me mbështetje të Kooperacionit Italian, Ambasadës Italianë mbajtën dje konferencën e parë shkencore me temë: “Sistemi i Farmacovigjilencës, roli dhe rëndësia në sigurinë e barnave”. Tashmë një sistem i ri si ai i Farmakovigjilencës do të monitorojë sjelljet e barnave në praktikën mjekësore, duke regjistruar të gjitha efektet e padëshiruara të tyre. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në këtë konferencë ka theksuar rëndësinë e kësaj strukture, si një garanci më shumë që ju ofrohet qytetarëve shqiptarë në trajtimin mjekësor. “Veprimi ynë shtetëror ka qenë i përqendruar në kontroll të plotë dhe efektiv me gjithçka që përballet pacienti shqiptarë”,- deklaroi Vasili. Një sistem i tërë profesionistësh, mjekë, infermierë, stomatologë, tashmë do të jenë nën vëzhgim dhe të detyruar nga ligji, për të raportuar çdo efekt të padëshiruar dhe sjelljet në praktikën mjekësore të barnave që gjenden në treg. Sipas ministrit të Shëndetësisë, një grup pune pranë këtij institucioni ka përgatitur tashmë dhe ndryshimet e nevojshme legjislative në Ligjin e Barnave. “Kemi barna mjaft të sigurta që regjistrohen në mënyrë korrekte nga strukturat tona. Tashmë një strukturë e re do të monitorojë sjelljet e këtyre barnave në praktikën mjekësore. Kombinuar dhe me elementë të tjerë si ngritjen e task-forcve për barnat po i afrohemi gjithnjë dhe më shumë objektivit tonë që është ofrimi i një garancie maksimale në raport me qytetarin”,- ka theksuar më tej Vasili. Kurse, zëvendësambasadori italian, Francesko de Luigi, në fjalën e tij ka rikonfirmuar dhe njëherë mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij për sistemin shëndetësor shqiptar. “Ne jemi dëshmitarë të ndryshimeve rrënjësore që ka pësuar ky sistem dhe ai farmaceutik në veçanti gjatë viteve të fundit. Farmakovigjilenca është shkenca dhe aktiviteti që ka lidhje me zbulimin, vlerësimin, kuptimin me qëllim parandalimin e efekteve të padëshiruara ose të ndonjë problemi tjetër që ka lidhje me barin”,- ka deklaruar zëvendësambasadori italian.
Farmakovigjilenca
Qëllimi i Farmakovigjilencës është të përmirësojë kujdesin ndaj pacientit, duke rritur sigurinë në lidhje me përdorimin e barnave, si edhe gjithë ndërhyrjeve mjekësore ose paramjekësore. Po ashtu, sistemi i Farmakovigjilencës ka për detyrë: të përmirësojë shëndetin publik dhe sigurinë në lidhje me përdorimin e barnave; të shërbejë për vlerësimin e përfitimeve, dëmeve, efektivitetit dhe rrezikut të barnave, duke na dhënë siguri për to, si edhe përdorim me efektiv dhe racional (duke përfshirë dhe kosto-efektivitetin); të ndihmojë në kuptimin, edukimin dhe në kryerjen e provave klinike, si edhe rritjen e efektivitetit në komunikimin me publikun. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Farmakovigjilenca duhet për disa arsye si: qëllimi humanitar, ku përfshihen të dhëna të pamjaftueshme mbi sigurinë e barit të cilat merren nga provat klinike, eksperimentet në kafshë, fazën 1-3 të studimeve përpara dhënies së autorizimit të marketingut për barin); barnat shërbejnë për të shpëtuar jetën. Të vdesësh nga një sëmundje ndonjëherë është e pashmangshme, të vdesësh nga një bar është e papranueshme; efektet e padëshirueshme na kushtojnë shumë! Përgjithësisht kostoja për rikuperimin e dëmeve të efekteve të padëshiruara të barit e kalon disa herë koston e vetë mjekimit për shërimin e sëmundjes për të cilën mjekohej fillimisht pacienti; rekomandon dhe kërkon përdorimin me racional të barnave; garanton sigurinë e publikut (nëse diçka shkon keq, një strukturë e specializuar është gati për të ndërhyrë. Për arsye etike, (është joetike mosraportimi i një ngjarje serioze të panjohur më parë dhe kjo vlen për të gjithë veçanërisht për: profesionistët mjekësor; mbajtësit e autorizimit të tregtimit; industrinë farmaceutike. Për të gjitha detyrat e mësipërme, Ministria e shëndetësisë po përgatit shtesat ligjore mbi funksionimin e strukturës së Farmakovigjilencës, të cilat pritet të diskutohen në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë. Pas miratimit të tyre, për strukturat shëndetësore do të ketë sanksione nëse nuk raportojnë pranë Farmakovigjilencës për çdo medikament që hidhet në treg.
Farmacitë
Ilaçet pa pulla sigurie, ngrihet Task-Forca për kontrollin e cilësisë
Barnat që tregtohen e në farmacitë e vendit do të jenë nën mbikëqyrjen e një Task-Force të veçantë që do të kontrollojë cilësinë e tyre. Ky vendim është marrë së fundi, nga kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, për të zgjidhur përfundimisht problemet që ekzistojnë me barnat në tregun tonë farmaceutik. Pikërisht për këtë arsye, ministri Vasili ka ngritur pak ditë më parë një Task-Forcë, për të siguruar cilësinë e ilaçeve. Ndërkohë që një hap tjetër është edhe rritja e vigjilencës nga personeli shëndetësor në lidhje me barnat që janë në qarkullim. Qytetarët në jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe nuk ndihen të sigurt për barnat që blejnë në farmaci. Ata shprehen se shumë herë u është dashur t’i kthejnë mbrapsht ato, pasi nuk kanë pasur vulat e sigurisë, ndërsa të tjerë thonë se përveç mjekëve, farmacistët nuk japin të dhëna rreth efekteve të padëshiruara që mund të sjellin barnat që ata blejnë.
24 Mars 2010