Gracka e 100 prokurorëve
Ulsi Manja
Oferta e fundit e kryeministrit për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, nga “100 prokurorë specialë zgjedhorë”, të caktuar enkas për këtë punë, jo vetëm që është një gjetje e re ndërkombëtare dhe origjinale e kryeministrit tonë, por është tentativa e fundit e tij për të varrosur përfundimisht transparencën e zgjedhjeve dhe njëkohësisht tregon mentalitetin e tij të vjetër për përdorimin masovik të institucioneve kushtetuese të një vendi sa herë që politika kërkon të dalë nga zullumi që e shkaktoi vetë.
Oferta e dalë në tregun e politikës shqiptare, që besoj s’do të jetë e fundit në hierarkinë e shpikjeve të kryeministrit tonë, pas dështimit të të ashtuquajturit komision hetimor parlamentar që auto-ngriti maxhoranca të “premten e zezë të politikës shqiptare”, mbart në vetvete disa të panjohura, përgjigjja e të cilave të çon në përfundimin se të kërkosh të hetosh procesin zgjedhor me prokurorë “specialë” do të thotë ta nxjerrësh Prokurorinë jashtë funksioneve të saj kushtetuese dhe procedurale; ta vësh atë totalisht në funksion të interesave politike të momentit dhe të krijosh një precedent ndërkombëtar qesharak që, në fund të fundit, do të ofronte një produkt pa ndonjë vlerë politike në kuptimin e shërbimit për demokracinë e një vendi.
Madje, nuk do të ishte e tepërt të pohoja që kjo do të ishte një rikthim në vitet e errëta të prokurorëve specialë që përdori regjimi komunist në vitet e para të pasluftës në Shqipëri.
E supozojmë për një moment se palët ranë dakord t’i drejtohen hetimit penal. Shtrohet pyetja: Si do t’i drejtohen dhe kush do t’i drejtojë? Cila është ngjarja kriminale që do të jetë objekt hetimi, gjithmonë në kuptimin e veprës penale? Cilat janë provat dhe autorët që kërkohen të hetohen dhe ndëshkohen? etj.
Këto pyetje dhe qorrsokaku ku kërkon ta fusë opozitën dhe krizën politike në vend kryeministri ynë, merr përgjigje të qartë dhe pa asnjë ekuivok po t’i referohemi përcaktimit kushtetues dhe proceduralo-penal të Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë. Kështu, sipas nenit 148 të Kushtetutës dhe nenit 24 të Kodit të Procedurës Penale, “Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj. Në ushtrimin e kompetencave të tyre, prokurorët u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve”.
Për të realizuar këto funksione kushtetuese, Prokuroria është e detyruar të zbatojë rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale, i cili në nenin 280 të tij shprehet se: “Prokurori dhe Policia Gjyqësore marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët”.
Nga sa sipër, është e lehtë të kuptohet se si vihet në lëvizje organi i Prokurorisë dhe cilat janë detyrat e hetimit penal. Kështu, hetimi penal vihet në lëvizje me kallëzim ose kryesisht dhe opozita nuk ka pse bën kallëzim, pasi nuk kërkon të zgjidhë nga hetimi i zgjedhjeve çështjen e ndonjë vepre penale apo të përgjegjësisë penale, pasi e ka pranuar si legjitim produktin e këtyre zgjedhjeve, dhe këtu mbaron kjo telenovelë zgjedhore.
Po ashtu, as Prokuroria nuk mund të hetojë kryesisht një fenomen shoqëror, siç janë zgjedhjet, e aq më tepër që ato kanë prodhuar një parlament të pranuar si legjitim nga palët dhe nuk ka në dorë bazën e mjaftueshme të të dhënave për regjistrimin e çështjes penale.
Hetimi penal ka për detyrë kryesore sigurimin e luftës efektive kundër kriminalitetit, zbulimin e krimit, dënimin e fajtorëve në kryerjen e krimit, hetimin e plotë dhe objektiv të fakteve që kanë të bëjnë me krimin, mbledhjen dhe fiksimin e provave të nevojshme.
Duke u nisur nga detyrat që zgjidh hetimi, oferta e fundit e kryeministrit, kur deklaron se “jam gati të pranoj hetimin e 100 prokurorëve, të cilëve do tu vihen në dispozicion 100 fakte nga opozita për procesin zgjedhor”, zbulon meskinitetin dhe mungesën e seriozitetit të tij në lidhje me zgjidhjen e krizës politike ku ka hyrë vendi dhe hermetizimin e mëtejshëm të transparencës zgjedhore pasi: Hetimi penal zhvillohet për ngjarje kriminale dhe autorë veprash penale dhe jo ngjarje apo fenomene të tjera të natyrës jo penale, siç është rasti i procesit zgjedhor; hetimi penal ka si pasojë ndëshkimin penal të veprës penale dhe autorëve të saj dhe jo ndëshkim politik; hetimi penal dhe dënimi si pasojë e veprës penale, ka karakter individual dhe jo kolektiv.
Rezultatet e hetimit certifikohen nga Gjykata me vendim penal të formës së prerë, pasi Kushtetuta dhe ligji procedural penal ka në themel prezumimin e pafajësisë së personit.
Të gjitha këto na çojnë në përfundimin që kryeministri, me këtë ofertë, kërkon ta zhvendosë çështjen e përgjegjësisë politike që ai ka për procesin zgjedhor të 28 qershorit 2009, drejt një përgjegjësie penale virtuale dhe që fundin e saj do ta kishte siç ishte procesi penal i rrugës Durrës-Kukës. Ndërkohë, ai do të qeveriste i pa shqetësuar nga opozita dhe do të priste zgjedhjet e radhës për të bërë kurbanin e radhës pasi fenomeni zgjedhor do të mbetej i pa ndëshkuar ose i pa mjekuar politikisht me përmirësime ligjore.
Në fund të fundit, produkti që do të ofronte hetimi penal nuk ka asnjë mundësi ligjore të përdoret nga politika për të rregulluar apo eleminuar dukuritë negative të hasura gjatë procesit zgjedhor, pasi në rastin më të mirë, përfundimet e këtij hetimi penal do të duhej të certifikohen nga Gjykata me një procedurë të rregullt gjyqësore dhe me vendim të formës së prerë për tu marrë si lëndë e parë nga legjislativi i vendit dhe kjo procedurë do të ishte shumë e zgjatur në kohë.
Ndërkohë, e kundërta, pra hetimi parlamentar, është krejt i mundshëm dhe as nuk e pengon hetimin penal të Prokurorisë të realizojë detyrat e tij, përkundrazi, e ndihmon atë duke e furnizuar me material hetimor. Duke iu referuar nenit 77, pika 2 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë dhe interpretimit të këtij neni nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2003, komisioni i posaçëm hetimor parlamentar, ndryshe nga hetimi penal që bën Prokuroria, ka për detyrë të zgjidhë “çështjet e veçanta, të cilat e përmbajnë në vetvete interesin publik, dhe që hetohen në aspektin e kontrollit e të zbatimit të ligjeve, të njohjes e verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarjeje, a veprimtarie dhe që nxisin iniciativat për propozime, amendime apo miratime ligjesh, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale”.
Dhe, në rastin më të mirë, rezultatet e këtij hetimi parlamentar mund të përbëjnë lëndë të parë për hetimet e Prokurorisë, por përsëri çështja e fillimit ose jo të hetimeve i takon vetëm Prokurorisë.
Me këtë ofertë, kryeministri ofron pikë për pikë të kundërtën e asaj që ka parashikuar Kushtetuta e vendit në lidhje me funksionet e Prokurorisë dhe të komisioneve të posaçme të Kuvendit. Kjo bëhet me qëllimin e vetëm për t’i shpëtuar përgjegjësisë politike që ai ka për mosarritjen e standardeve zgjedhore dhe zvarritjen e vendit drejt proceseve integruese dhe si një mënyrë justifikimi përpara miqve tanë ndërkombëtarë që me sa duket e kanë kuptuar që kryeministri fsheh shumë gjëra në kutitë e mbyllura të 28 qershorit 2009, pas zhvirgjërimit zgjedhor të Ruzhdies.
Kriza politike kërkon zgjidhje me mjete politike pasi nga ana juridike ajo është e zgjidhur. Mjafton ngritja e një komisioni hetimor të cilit t’i jepet tagri për të hetuar lirisht dhe mbi çdo gjë që ka të bëjë me procesin zgjedhor, përfshirë edhe hapjen e kutive për efekt hetimi të fenomenit dhe jo ndryshimit të rezultatit siç e ka bërë të qartë opozita.
24 Mars 2010