Shoqëria Civile, e pavarur dhe e paanshme merr rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit
Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje Shoqërisë Civile që të japë kontributin e saj në luftën kundër korrupsionit. Duke folur në një konferencë të organizuar nga Agjensia e Shoqërisë Civile, Berisha theksoi se roli i shoqërisë civile është i pazëvendësueshëm në luftën kundër korrupsionit.
“Sërish ka korrupsion, por asgjë nuk ka më shumë rëndësi se zëri i ndershëm dhe neutral i shoqatave dhe organizatave në luftën kundër tij, pasi ai rol është jetik. Askush nuk mund të kërkojë më shumë se ju shoqatat transparencën për çdo akt në vend, pasi në këtë stad që jemi kam bindjen se shoqëria civile do të fuqizohet, pasi nuk ka demokraci pa shoqëri civile, ndaj iu bëj thirrje donatorëve dhe bujarisë së tyre të ndihmojnë këto shoqëri sidomos në këtë periudhë krize”- u shpreh Berisha. Kryeministri shprehu gjithashtu mirënjohjen për shoqatat që kontribuojnë për shoqërinë civile, duke theksuar se “shoqëria shqiptare vuan për fuqizimin e vullnetarizmit, i cili është i pazëvendësueshëm”. “Vullnetarizimi është një faktor jetik për të edukuar shoqërinë shqiptare. Ne kemi nevojë për një vullnetarizëm të gjerë për mbrojtjen e mjedisit”- tha kryeministri. Kreu i qeverisë theksoi domosdoshmërinë që solidarizimi familjar që karakterizon shqiptarët, të projekohet edhe në shoqëri. “Pak kush sa në Shqipëri, anëtarët e familjes i shërbejnë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin për të lehtësuar vështirësitë e ndryshme dhe kjo përbën një nga faktorët kryesorë të zbutjes dhe zvogëlimit të dhimbjeve të pashmangshme të reformave dhe tranzicionit në këtë vend. Është e domosdoshme që këtë traditë të shkëlqyer dhe solidaritet të madh familjar që ne kemi ta projektojmë bashkarisht në mbarë shoqërinë tonë”.
Ai ka theksuar se qeveria shqiptare ka bërë përpjekje të mëdha kundër korrupsionit por asgjë nuk është më e rëndësishme se zëri neutral i shoqërisë civile në luftën kundër tij, duke e bërë më të besueshme.