E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, kabineti qeveritar përfshihet nga një krizë e thellë



Blerina Olldashi
Kabineti kosovar i kryeministrit Hashim Thaçi është përfshirë nga kriza. Edhe pse publikisht u hodh poshtë prishja e aleancës mes PDK-së dhe LDK-së, priten shumë shpejt ndryshime në qeveri. Ministrat që do ndërrohen nuk kanë treguar efikasitet në sektorët që drejtojnë. Sipas mediave kosovare, Lutfi Haziri i LDK-së së shpejti mund të bëhet ministër i Integrimit Europian. Por edhe për këtë post duket se ka kontradikta, pasi në rast se kjo ministri do t’i takojë PDK-së atëherë emër i lakuar është Bajram Rexhepi. Në fakt dy partitë që drejtojnë vendin, si Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike thonë se ndërrimi i disa ministrave është i pashmangshëm. Mediat kosovare thonë se pritet të hiqen 4 ministra. Por ndërsa rivaliteti mes PDK-së dhe LDK-së është i dukshëm, opozita vendase kërkon zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë shumë kritika ka dhe për kryetarin e shtetit, Fatmir Sejdiu që vazhdon të mbajë të ngrirë postin e kreut të Lidhjes Demokratike, ndërkohë që kjo është shkelje e Kushtetutës.
Kërkesat për zgjedhje të parakohshme u shtuan pas përplasjes javën e kaluar mes dy partnerëve të koalicionit qeverisës, kur PDK-ja e Hashim Thaçit fillimisht bëri publik qëndrimin për “prishje” të koalicionit, të cilin e tërhoqi vetëm pak orë më pas. Zyrtarë të PDK-së kanë theksuar se nuk e mbështesin idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme, ndërkohë që LDK-ja nuk e ka përjashtuar këtë mundësi dhe ka thënë se është e gatshme për një proces të ri zgjedhor në vitin 2010. Nuk dihet sa do të zgjasë kjo lloj qeverisjeje në Kosovë, të cilën analistët e quajnë qeveri të brishtë. Partnerët e koalicionit thonë se qeverisja është e qëndrueshme, por analistët thonë se kjo bëhet vetëm për të fituar kohë që të shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme. Në Kosovë sa përfunduan zgjedhjet lokale, të cilat në fakt sollën një rikonfigurim miks të skenës politike, ku PDK-ja fitoi në nivel kombëtar, por LDK-ja mori komuna të rëndësishme, ndërkohë që edhe opozita korri disa fitore në bastionet e veta. Koalicioni qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të mbetet në jetë me një rikonfigurim dhe me ndërrimin e disa ministrave, vlerësojnë analistët. Sidoqoftë, ky koalicion, pas zhvillimeve të javës së kaluar, kur fillimisht ishte shpallur prishja e më pas vazhdimi i koalicionit, sipas analistëve, vlerësohet se vështirë do të mund të tregohet efikas dhe funksional. Analisti Bardh Hamzaj thotë se java e kaluar dëshmoi për kulmimin e krizës në koalicionin PDK-LDK. Kjo krizë, sipas tij, erdhi si rrjedhojë e deklaratave të zyrtarëve të të dyja partive gjatë fushatës elektorale, si dhe pasoi shqetësimin e PDK-së pas lidhjes së koalicioneve nga ana e LDK-së me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nëpër komuna të caktuara.

25 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›