E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Thaçi kundër bazës ushtarake serbe në Bujanovc



Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur kundër ndërtimit të bazës ushtarake të Serbisë në Luginën e Preshevës, pasi sipas tij, ky nuk është një hap me vlerat euroatlantike.
“Siguria, paqja, stabiliteti në rajon sigurohet dhe garantohet vetëm me vlerat euroatlantike dhe jo të angazhimeve apo të mentaliteteve të forcave të armatosura njënacionale”,- tha kryeministri Thaçi, pas një takimi që zhvilloi me ish-zëvendësin e kryenegociatorit të OKB-së për statusin Albert Rohan. Baza ushtarake serbe “Jug” ndodhet vetëm 15 kilometra nga kufiri me Kosovën. Ajo është ndërtuar në 33 hektarë dhe në të ndodhen 66 objekte, ndërsa mund të vendosen afro 1 mijë ushtarë profesionistë. Ditën e përurimit të kësaj baze, presidenti serb Boris Tadiç, tha se Serbia ka dy qëllime kryesore strategjike: hyrjen në Bashkimin Europian dhe ruajtjen e integritetit territorial dhe të sovranitetit në Kosovë. Kundër vendosjes së bazës ushtarake në kufi me Kosovën, u shprehën edhe banorët në Luginën e Preshevës, sipas të cilëve kjo do të thoshte militarizim dhe pushtim.

25 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›