E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet e pjesshme, Ministria e Arsimit nxjerr shpërndarjen e kuotave dhe tarifat



Jonida Tashi

Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht shpërndarjen e kuotave të pranimit, sipas universiteteve, për studimet me kohë të pjesshme. Kështu, sipas vendimit të qeverisë, të publikuar nga Ministria e Arsimit, pjesa më e madhe e këtyre kuotave nga 5905 që janë në total, do t’i takojnë Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Elbasanit. Për këto dy universitete, qeveria ka akorduar nga 1510 kuota pranimi për secilin prej tyre, për studimet e pjesshme gjatë vitit akademik 2009-2010.
Vendimi
Sipas vendimit të qeverisë, kuota totale e pranimeve në sistemin e pjesshëm të studimeve që është 6145 pranime, do të do të ndahet në katër drejtime të veçanta. Më konkretisht, kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme do të jenë 5905; Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit të ciklit të parë, të edukimit në distancë, 40; Kuotat për transferim studimesh, 100; Kuota për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe për shtetas të tjerë të huaj, 100. Tarifat e shkollimit (për 180 kredite) dhe tarifat e shkollimit për çdo kredit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, në vitin akademik 2009-2010, do të jenë, për çdo program studimi dhe institucion publik të arsimit të lartë, sipas përcaktimeve të bëra në tabelën nr.2. Tarifat e shkollimit (për 180 kredite) dhe tarifat e shkollimit për çdo kredit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, në programe të dyta studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, në vitin akademik 2009-2010, do të jenë, për çdo program studimi dhe institucion publik të arsimit të lartë, sipas përcaktimeve të bëra në tabelën nr.3.
Procedura
Procedurat e aplikimit për studimet e pjesshme do të nisin menjëherë pasi ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, t’u ketë dërguar universiteteve udhëzimin përkatës. Po ashtu, paraprakisht Ministria e Arsimit, duhet t’u depozitojë universiteteve edhe vendimin e zbardhur të qeverisë, për shpërndarjen e kuotave të pranimit sipas institucioneve publike të arsimit të lartë. Çdo shtetas shqiptar, i cili ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron Dëftesë Pjekurie apo diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit, ekuivalente me të, ka të drejtë të kandidojë për në programet e studimit e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, në institucionet publike të arsimit të lartë. Përzgjedhja e fituesve për studimet e pjesshme do të bëhet nga një grup i posaçëm, i ngritur në fakultetet përkatëse, ku kriter bazë për përzgjedhjen e kandidatëve do të jetë mesatarja e shkollës së mesme ku ata kanë përfunduar, si edhe kuotat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa për kategoritë e tjera të individëve që dëshirojnë të ndjekin sistemin e pjesshëm të studimeve janë përcaktuar kushte të tjera pranimi. Kështu, kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, do ta fitojnë këtë të drejtë sipas kritereve të përcaktuara nga vetë universitetet ku ata kërkojnë të studiojnë.

Dokumentet e aplikimit
Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme bëhet pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore dhe duhet të shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm: Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të; dokument identifikimi (certifikatë lindje me fotografi ose pasaportë). Në dosje duhet të mbahet certifikata e lindjes me fotografi ose fotokopja e pasaportës; dy fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit; deklaratë individuale e kandidatit, sipas modelit të tërhequr pranë sekretarive të fakulteteve. Kandidatët që duan të vijojnë këto studime, para depozitimit dosjeve në sekretaritë mësimore të universiteteve përkatëse, duhet t’i plotësojnë ato me dokumentet e mësipërme. Në qoftë se kandidati fitues nuk ka dëftesë pjekurie origjinale, siç përcaktohet më sipër, duhet të paraqesë dublikatë të Dëftesës së Pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë arsimore rajonale/zyrën arsimore përkatëse, ose dhe dokument me listën e notave të lëshuar nga Arkiva e Shtetit dhe të sigluar në DAR/ZA. Kurse kandidatët që do të regjistrohen në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, përveç dokumenteve të përcaktuara, duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore dhe diplomën e lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar), ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar e barasvlershme me të.

Studentët që do të përjashtohen nga tarifa e shkollimit
Vendimi i qeverisë për kuotat dhe tarifat në sistemin e pjesshëm të studimeve ka detajuar edhe kategoritë që do të përjashtohen nga pagimi i pjesshëm ose i plotë i tarifës së studimit. Kështu, sipas vendimit të qeverisë, përjashtohen nga tarifat e shkollimit kandidatët, të cilët fitojnë të drejtën për të studiuar në një program studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, si program i parë studimi, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2009-2010, që u përkasin këtyre shtresave shoqërore, si: të verbrit, të shurdhët, invalidët, paraplegjikë e tetraplegjikë, kryefamiljaret (gratë) me fëmijë, kandidatët, që vijnë nga familje, të cilat trajtohen me ndihmë sociale, si dhe fëmijët, që gëzojnë statusin ligjor të jetimit. Këtë të drejtë e kanë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave shoqërore. Studentët e paguajnë tarifën e shkollimit të ndarë në këste vjetore, në përputhje me kreditet e lëndëve, që do të frekuentojnë në çdo vit akademik. Studenti i nënshtrohet tarifës së shkollimit për një lëndë sa herë e frekuenton atë. Studentët e shkëlqyer nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin pasardhës. Shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe shtetasit e tjerë të huaj, që do të vazhdojnë studimet në një program studimi, me kohë të pjesshme, në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen së njëjtës tarifë shkollimi si shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje zyrtare, shtetërore, janë përcaktuar mënyra të tjera për tarifat.

Tarifat e shkollimit (për 180 kredite) dhe tarifat e shkollimit për çdo kredit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, në vitin akademik 2009-2010, të jenë, për çdo program studimi dhe institucion publik të arsimit të lartë, sipas përcaktimeve të bëra në tabelën nr. 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Tarifat e shkollimit (për 180 kredite) dhe tarifat e shkollimit për çdo kredit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, në programe të dyta studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, në vitin akademik 2009-2010, të jenë, për çdo program studimi dhe institucion publik të arsimit të lartë, sipas përcaktimeve të bëra në tabelën nr. 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

25 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›