E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosove, kuvendi diskuton rastin “Albin Kurti”

PRISHTINE- Rasti gjyqësor ndaj liderit të “Vetëvendosjes” ka qenë temë boshe e seancës të së enjtes në Kuvendin e Kosovës. Partitë në pushtet thanë se çështjet gjyqësore duhet të trajtohen në një nivel tjetër, ndërkohë që opozita akuzoi gjyqësorin.

Debati përfundoi pas më shumë se 6 orëve pa ndonjë vendim, mirëpo që në fillim të tij u ngrit çështja se a është, në fakt, Kuvendi si organ legjislativ, i thirrur për të debatuar për një çështje të fushës së gjyqësorit.

Gjatë seancës plenare u propozua dhe krijimi i një komisioni ad-hoc parlamentar, që do të hetonte çështjet lidhur me 10 shkurtin e vitit 2007.

Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, tha se kjo çështje është e panevojshme dhe se ajo çka mund të bëjë Kuvendi i Kosovës është që t’u kërkojë Kombeve të Bashkuara zbardhjen e vrasjes së dy protestuesve dhe plagosjes së dhjetëra të tjerëve tri vjet më parë.

“Si sugjerim i fundmë, në emër të këtij grupi, është që ky debat të shkojë në atë frymë që t’i sugjerohet OKB-së, nëse mund të bëjmë një gjë të tillë, që t’i ndjekë ata njerëz që kanë bërë ato gabime, që kanë shkuar deri në krim në Kosovë dhe këtë gjë ta përmbyllë në sfondin e vet. Gjithsesi, t’i sugjerojmë zotit Kurti t’i përgjigjet si qytetar i ndërgjegjshëm i kësaj republike të re, që të shkojë në gjyq, e ta dëshmojë atë që duhet dëshmuar-pafajësinë e tij”, tha Buja.

Opozita, ndërkaq, drejtoi një varg akuzash ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se krijimi i peticionit me 150 mijë nënshkrime për shqyrtimin e rastit Kurti në Kuvendin e Kosovës, dëshmon ekzistimin e një varg problemesh që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në Kosovë.

“Rasti i Kurtit duhet të shqyrtohet edhe një herë në organet, nga të cilat është nxjerrë si rast dhe të mos na vijnë neve çështjet e gjyqësorit në Parlamentin e Kosovës”, u shpreh Isufi.
(e.n/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›