E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, mblidhet këshilli i sigurisë së OKB, tensionohet situata në veri

Ka pak minuta që këshilli i sigurisë së OKB është mbledhur për të vendosur një zgjidhje për situatën që ka tensionuar gjendjen në Kosovë muajin e fundit. Gjatë mbledhjes janë shpalosur problematikat kryesore dhe i është dhënë fjala presidentit të këshillit, i cili ka kërkuar që palët të takohen në një mbledhje private për të vendosur mbi një zgjidhje për situatën.

Ndërkohë pak orë më parë situata në pikat kufitare 1 dhe 31 ka filluar të tensionohet. Sipas medieve serbe, thuhet se KFOR-i tashmë ka mbyllur pikëkalimin kufitar Jarinje. Sipas raportimeve, thuhet se mbyllja e Jarinjes ka ndodhur rreth orës 20.

Ndërkaq, mësohet gjithashtu se serbët e veriut, pasi kanë mësuar se është mbyllur pikëkalimi në Jarinje, rreth orës 20:15, kanë bllokuar rrugën në vendin e quajtur Zupç dhe kanë vendosur barrikada para pikëkalimit Bërnjak. Mediet serbe raportojnë se serbët e mbledhur në veri, kanë bllokuar pikën kufitare në Jarinje me kamionë pak kohë pasi KFOR-i mbylli atë vendkalim me tela me gjemba.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-s, Ban ki Moon, u ka bërë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë deri në eskalimin e gjendjes në rajon.

Ndërkohë i ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic dhe shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanovic, janë nisur për në Kosovë.
Sic raportojnë mediet serbe, ata do të hyjnë në veri për t’i mbështetur serbët lokalë në përpjekjet e tyre për t’i penguar forcat e autoriteteve kosovare që të vendosen në pikat kufitare në veri.

(a.h/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›