Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen: Kosova shtet sovran, s’do lejojmë cenimin e paqes në Veri të vendit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmussen tha se KFOR-i do të reagojë, nëse rrezikohet siguria dhe paqja në veri të Kosovës. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Hashim Thaçi, sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, tha se detyra dhe mandati i KFOR-it në Kosovë është i qartë.
“Është mandat i KFOR-it që të sigurojë një ambient të qetë dhe paqësor. KFOR-i do të ndërmarrë veprime nëse kjo siguri dhe paqe do të vihet në rrezik”, u shpreh Rasmussen. Ndërsa lidhur me operacionin që pritet të zhvillohet për zbatimin e planit për rihapjen e pikave doganore nga 16 shtatori, Rasmussen nuk ka dhënë detaje, por tregoi vendosmërinë e KFOR-it që nuk do të lejojë të cenohet paqja në Kosovë. “Nuk do të komentoj për operacionin, detajet e tij, por trupat e KFOR-it do të veprojnë në vetëmbrojtje dhe në atë që e thashë për të garantuar një ambient të qetë dhe sigurt”, theksoi Rasmussen. Gjatë kësaj konference, Rasmussen rikujtoi se për 12 vjet NATO ka arritur që në Kosovë të garantoj paqe e siguri për të gjithë dhe i paralajmëroi të gjithë se se nuk do të tolerohet kthimi prapa në dhunë dhe tensione të reja. Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ripërsëritur se nga 16 shtatori do të zbatohet marrëveshja për doganat dhe se pjesë e planit, do të jenë edhe EULEX-i dhe KFOR-i.