E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, mbyllet pika kufitare në Jarinë

Forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë njoftuar se pika kufitare 1 në Jarinë është mbyllur për shkak të dëmtimeve të rënda në infrastrukturë dhe rrezikut nga shembja.
Në një njoftim për mediat, KFOR-i njofton se kamionët nuk janë lejuar të futen nëpërmjet kësaj pike, kurse automjetet e vogla private mund të kalojnë kufirin në rrezik të tyre, ndonëse do të kontrollohen nga KFOR-i.

Po ashtu paqeruajtësit njoftojnë se në pikën kufitare 31 në Bërnjak, kontrollet janë shumë të rrepta për shkaqe sigurie.
KFOR-i njofton se vazhdon të zbarkojë trupat e veta në tërë veriun e Kosovës për të ruajtur qetësinë, sigurinë dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes. Ndërkohë që situata në këtë zonë paraqitet e qetë, pas sulmeve të grupeve serbe në pikat doganore 1 dhe 31 në veri, që rezultuan me djegien e pikës në Jarinje.
Ushtarët amerikanë dhe gjermanë të KFOR-it, kanë hequr barrikadat nëpër rrugë, për të mundësuar kalimin te pikat doganore, me çka situata ishte vënë nën kontroll.
Të dy këto pika, kontrollohen nga ushtarët e KFOR-it.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu thotë se situata në përgjithësi pas mesnatës ka qenë më e qetë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›