E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, 6- vjeçari peng për dashnoren e të atit

Policia liron fëmijën dhe arreston Gëzim Markun. Pengmarrësi: Babai i djalit më ka marrë të dashurën. Mister shkaku i vërtetë

NGJARJA

LEZHE- Një fëmijë 6- vjeçar ka kaluar 24 orë si peng për një “histori dashurie” të babait të tij. Ai është marrë peng me anë të mashtrimit nga Gëzim Marku dhe vetëm dje në orën 14.00 ka rifituar lirinë ndërsa pengmarrësi është arrestuar.

Ngjarja

Pengmarrja u krye rreth orës 14.00 të dy ditëve më parë kur fëmija gjashtë vjeç banues në lagjen Kodër Marlekaj të Lezhës është marrë nga shtëpia e tij. Gëzim Marku kishte kohë që po e ruante fëmijën dhe drekën e së mërkurës e ka gjetur vetëm. Ai i ka thënë fëmijës që gjendej i vetëm në shtëpi, se e kishte dërguar i ati Antoni për t’ia shpënë tek puna, ndërsa është futur në makinën e rrëmbyesit pa e ditur se kishte rënë në duart e një pengmarrësi. Sipas burimeve policore që e kanë hetuar ngjarjen, në momentin që ka marrë fëmijën, Gëzim Marku ka marrë në telefon të atin e fëmijës duke i thënë se duhej t’i dërgonte të dashurën e tij në shtëpi në Gjadër. Në këto momente i ka dhënë në telefon dhe të birin që t’i fliste të atit duke e kërcënuar. Ai pretendonte se i ati i fëmijës i kishte marrë të dashurën për t’ia trafikuar. Madje, sipas disa burimeve policore, ai e ka kërcënuar se nëse nuk ia kthen të dashurën do t’ia vriste fëmijën.

Operacioni policor

Me të mësuar për ngjarjen e rëndë, është organizuar aksioni policor për të arritur lirimin e pengut pa e dëmtuar. Policia fillimisht ka kontrolluar në shtëpinë e Gëzim Markut por nuk ka gjetur gjë, por gjithsesi është mësuar numri i telefonit të pengmarrësit pasi janë bërë përgjimet e thirrjeve që ai kishte kryer me Anton Prengën, të atin e fëmijës. Nga këto thirrje është lokalizuar dhe vendqëndrimi i pengut dhe pengmarrësit, ndaj është bërë izolimi i fshatit nga ana e trupës policore në aksion. Janë dashur plot 14 orë negociata në mes drejtuesve të policisë dhe pengmarrësit që të lirohej fëmija pa u dëmtuar. Gëzim Marku ka dorëzuar fëmijën dhe ka tentuar që të largohet me vrap por është arrestuar rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes.

Shkaku i pengmarrjes

Bëhet e ditur se pohimet e Gëzim Markut kanë qenë disa herë kontradiktore në motivin që i ka shprehur personit që kërcënonte, për t’ia dhënë fëmijën në këmbim të të dashurës së tij. Ndërkohë që në një moment tjetër pretendonte se fëmija kishte qenë i tij. Por nuk rezulton e vërtetë pasi sipas kërkimeve policore ai nuk e njihte fare të ëmën e fëmijës së rrëmbyer ashtu sikundër dhe përkimi në vite i pretendimit. Policia është vënë përpara një dileme e cila ka nisur të zbardhet kur është gjetur e dashura e Markut në nj fshat tjetër të Lezhës. Ajo është shprehur se nuk ka pasur lidhje me dy persona, të njëjtën gjë ka thënë dhe babai i fëmijës 6 vjeçar, se nuk kishte lidhje jashtëmartesore, por as të ketë pasur probleme me ndokënd. Por policia po heton pikërisht në këtë aspekt për lidhjen e mundshme të një konflikti në mes tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›