I derdhte qumështin, përfundon me thikë në qafë
HAKMARRJA/ Shyqyri Hoxha u plagos nga Dogani, i bezdisur nga veprimet e herëpashershme të tij
FIER – I derdhte qumështin që kishte për të shitur, por përfundon në tehun e thikës. Ngjarja ndodhi në lagjen “Kryengritja e Fierit” mbrëmjen e së mërkurës. Alfred Dogani, i vënë në pranga nga policia e Fierit plagosi me thikë shtetasin Shyqyri Hoxha, i cili tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Motiv për ngjarjen mësohet të ketë qenë një konflikt i nxitur nga vetë viktima. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Alfred Dogani, 42 vjeç, banues në Patos është fermer, i cilitmerret me mbarështimin e lopëve. Qumështin e marrë prej tyre, ai e shiste në treg dhe një pjesë në disa lagje të qytetit. Por më tepër këtë aktivitet ai e zhvillonte në lagjen ku ndodhi ngjarja. Në një lokal të marrë me qira, Dogani shiste produktet e fermës së tij. Por, jo gjithçka ka shkuar mbarë, pasi Shyqyri Hoxha i ka derdhur disa herë bidonat 20-litërsh të qumështit. Një veprim i tillë, i përsëritur edhe pasditen e së mërkurës, ka bërë që Dogani të reagojë, duke nxjerrë një thikë dhe duke e goditur në qafë Hoxhën. Më pas ai u largua nga vendngjarja, por është prangosur nga policia në banesën e vet rreth orës 21:30. Ndërkaq, Shyqyri Hoxha u dërgua në spital, në kryeqytet për t’u mjekuar. Nga ana e policisë, ende nuk janë bërë të ditura detaje të tjera për ngjarjen, si dhe fakti përse Hoxha shqetësonte fermerin.