Shalsi: “Rahman Selmanllari menaxhon bizneset e familjes në pushtet”
Nënkryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Eduard Shalsi, ka shtuar dozën e akuzave për përfshirjen e kryeministrit Sali Berisha në bizneset korruptive të bashkëshortit të deputetes Albana Vokshi. Shalsi ka publikuar dje të tjera fakte që hedhin hije dyshimi në lidhje me konfliktin e interesit të kryeministrit në aferën korruptive të deputetes Vokshi. Shalsi deklaroi se sipas formularit të regjistrimit të degës së kompanisë “Stream Oil” në Shqipëri, rezulton se kjo kompani dhe kompania “Vizion Construction” e bashkëshortit të Albana Vokshit dhe sekserit të Shkëlzen e Sali Berishës, Rrahman Selmanllari, kanë të njëjtën godinë. Kështu, sipas tij, Selmanllari, si mik i familjes Berisha, menaxhon bizneset e saj.
Deklarata
Deputeti Shalsi u shpreh se rasti “Vokshi” është një rast i pastër korrupsioni i konfliktit të interesit të familjes në pushtet. “Me një të rënë të lapsit të Sali Berishës, kompania ‘Stream Oil’, ku është bashkëpronar bashkëshorti i Albana Vokshit, Arian Tartari, ka përfituar me koncesion 3 fusha naftëmbajtëse dhe një fushë gazi natyror me vlerë mbi 4 miliardë euro nga pasuria e përbashkët e shqiptarëve”, - tha Shalsi.
Deputeti socialist ka sjellë në vëmendje akuzat e dy ditëve më parë. Ai tha se miku i ngushtë i djalit të kryeministrit dhe sekseri i interesave të biznesit të Shkëlzen e Sali Berishës, Rrahman Selmanllari dhe bashkëshorti i deputetes demokrate Albana Vokshi, Arian Tartari, rezultojnë të jenë ortakë në një biznes “Vision Construction”. Ky biznes, sipas tij, ka si objekt të punës së tij tregtimin e karburanteve dhe vajrave lubrifikante që prodhohen duke shfrytëzuar pikërisht koncesionet e fushave të naftës dhe të gazit natyror që i ka dhuruar Sali Berisha.
Fakte të reja
Partia Socialiste çdo ditë shfaqet me fakte të reja që dëshmojnë lidhjen e qeverisë me korrupsionin. Shalsi deklaroi se në prill të vitit 2008, Arian Tartari emërohet përfaqësues ligjor i Stream Oil dhe vetëm pak ditë më pas zhvendoset në të njëjtën godinë kompania “Vision Construction”, ku aksioneri tjetër është sekseri i familjes në pushtet, Rahman Selmanllari. “Fakti që kompania e bashkëshortit Tartari, që ka marrë në koncesion në mënyrë abuzive fusha nafte e gazi natyror me vlerë rreth 4 miliardë euro dhe kompania ku është bashkëpronar sekseri i Shkëlzen e Sali Berishës ndajnë të njëjtat zyra, tregon qartë për përfshirjen e familjes kryeministrore në këtë aferë të pastër korruptive”, - u shpreh Shalsi. Në këto kushte, Partia Socialiste i ka kërkuar kryeministrit Berisha të reagojë për dokumentet që e komprometojnë rëndë rrethin e tij të ngushtë familjar e politik, pasi, sipas deputetit Shalsi, heshtja e Sali Berishës përballë fakteve që po dalin në dritë çdo ditë, provon më së miri se të gjitha fijet e korrupsionit në këtë vend të çojnë vetëm në një adresë: te kryeministri dhe familja e tij.
Akuzat
Fakte të reja kanë dalë çdo ditë nga Partia Socialiste, të cilat dëshmojnë lidhjen e deputetes demokrate Albana Vokshi dhe familjes Berisha me korrupsionin. PS-ja ka zbuluar se kryeministri Sali Berisha i ka falur 4 miliardë dollarë pasuri publike Vokshit, duke i krijuar lehtësira në marrjen e dy tenderëve kompanisë së bashkëshortit të saj, Arian Tartari. Partia Socialiste, që në krye të herës ka akuzuar ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, se është i përfshirë në afera korruptive. PS-ja ka kërkuar që Prokuroria të vihet në lëvizje për të hetuar pasuritë e tij të padeklaruara. Socialistët i kanë kërkuar Priftit të japë llogari për pasurimin e tij brenda një viti me 2 miliardë e gjysmë lekë, i cili është shprehur se i ka fituar ato para nga shitja e aksioneve në kompaninë farmaceutike “Megafarma”. Ndërkaq, PS-ja është ndalur edhe në aferat korrupive të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ku nuk mbetet i paimplikuar sërish edhe ministri Prifti. Ka qenë deputeti socialist Eduard Shalsi që deklaroi se të dy ministrat kanë nxjerrë në proces privatizimi Fushën e Aviacionit. Ndërkohë që, nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha gjatë fushatës elektorale pati premtuar se do ta shndërronte atë në park publik.
Partia Socialiste ka depozituar pranë Prokurorisë jo pak, por nëntë padi ndaj ministrave dhe deputetëve të Partisë Demokratike. Shumica e padive përmbajnë akuzën e shpifjes ndaj deputetëve demokratë, ndërsa ministri i Ekonomisë, Prifti, akuzohet për korrupsion. Sipas PS-së, kanë shpifur dhe akuzuar padrejtësisht kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të paditurit Sali Berisha, Sokol Olldashi, Aldo Bumçi, Ferdinand Poni, Gerti Bogdani, Florion Mima, Lajla Pernaska, Erla Mëhilli dhe Dritan Prifti.
Ahmetaj: “Monopolet e pushtetit po rritin çmimet për qytetarët”
Partia Socialiste ka deklaruar se qeveria po favorizon monopolet duke rritur çmimet në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Ka qenë deputeti Arben Ahmetaj që ka renditur rritjen e çmimeve për të paktën ato produkte që janë më jetësore. Ahmetaj shprehu shqetësimin se situata do të përkeqësohet akoma më shumë edhe në muajin shtator.
Në këto kushte, ai i bëri thirrje qeverisë të pranojë krizën ekonomike dhe të marrë masa për mosdegradimin e situatës. “Në kohë krize, kur çmimet po rriten, qeveria vazhdon t'i rritë taksat në kurriz të qytetarëve. Çmimi i bukës është rritur me 100 lekë, sepse qeveria e lejon monopolin. Çmimi i ujit të pijshëm është rritur me 3 mijë lekë në muaj mesatarisht, ndërsa pushteti nuk arrin të furnizojë me ujë. Çmimi i vajit është rritur me 200 lekë litri, sepse një muaj më parë qeveria rriti taksën. Çmimi i energjisë elektrike është rritur 30 mijë lekë për çdo faturë dhe qeveria ka planifikuar të njëjtën rritje në fund të këtij viti”, - u shpreh Ahmetaj. Më tej, Ahmetaj hodhi kritika mbi qeverinë, e cila, sipas tij, deri në datën 1 gusht nuk ka shpenzuar as edhe një qindarkë për të ndihmuar familjet në nevojë me pagesat e energjisë, siç kishte premtuar që në janar të këtij viti. Sipas tij, vetëm nga rritja e taksës së ambalazheve të disa artikujve ushqimorë, qeveria do t’u futë duart në xhepa shqiptarëve për t’iu marrë 80 milionë dollarë. Deputeti Ahmetaj hodhi sinjale se në muajin shtator situata nuk do të përmirësohet për buxhetet familjare. “Pritet që të ketë një tjetër shtrenjtim të miellit e bukës, i cili, sigurisht, do të ndiqet nga rritje zinxhir e çmimeve të artikujve ushqimorë. Në shtator do të dyfishohen edhe çmimet e telefonisë fikse, një tjetër barrë e rëndë për konsumatorët. Pushteti vazhdon t’i rëndojë me mendjemadhësi shqiptarët. Rrënimi i buxheteve familjare është një dhuratë e këtij pushteti. Rimëkëmbja e ekonomive familjare do të kërkojë kohë, angazhim serioz dhe politika në favor të qytetarëve; gjë që ky pushtet nuk e bën dot”, - u shpreh deputeti Ahmetaj.
Kauza e Kosovës, Meta merr mesazhe falënderimi nga homologët e tij europianë
Pas mendimit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, ku u gjykua se shpallja e njëanshme e saj nuk binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare, zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka marrë disa mesazhe falënderimi nga homologët europianë, ku i shprehin kreut të Diplomacisë shqiptare vlerësimin e tyre për rolin e Diplomacisë shqiptare në mbrojtjen e kauzës së Kosovës, si dhe mbështetjen e plotë të Shqipërisë në konsolidimin e shtetit të ri.
Mesazhe falënderimi kanë mbërritur nga zëvendëskancelari gjerman, Guido Westerwelle, kreu i Diplomacisë austriake, Michael Spindelegger si dhe nga ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nickolay Mladenov. Zëvendëskancelari dhe ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle shprehet në mesazhin e tij drejtuar ministrit Meta se: “Pavarësia e Republikës së Kosovës dhe integriteti i saj territorial për Gjermaninë janë fakte të pamohueshme, të cilat nuk vihen në pikëpyetje”, duke shtuar se “tashmë është mbyllur pjesa juridike dhe ka ardhur koha për dialog, duke pasur parasysh njëkohësisht se e ardhmja e Serbisë dhe e Kosovës gjendet në Bashkimin Europian”.
Ndërsa homologu austriak, Michael Spindelegger, në letrën e tij i shkruan homologut shqiptar se “opinioni i GJND-së hap rrugën për njohje të reja dhe ofron shpresë për zhvillimin social dhe ekonomik të shtetit të ri”. Spindelegger shprehet më tej se “nisja e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës do të jetë në radhë të parë në interes të qytetarëve që jetojnë në të dyja shtetet”.
Topalli përuron ekspozitën fotografike kushtuar Nënë Terezës
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përuroi dje, në mjediset e Kuvendit, ekspozitën fotografike kushtuar jetës dhe misionit të humanistes së madhe shqiptare, Nënë Tereza. Ekspozita e hapur në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë përmban fotografi dhe dokumente të veçanta biografike dhe historike mbi këtë personalitet unik, me dimensione të jashtëzakonshme njerëzore. Kryetarja e Kuvendit, e shoqëruar dhe nga pedagogia Iris Kraja, familjarja më e afërt e Nënë Terezës në Shqipëri, shprehu emocione dhe kënaqësi të veçantë për hapjen e kësaj ekspozite, në vijimësi të dhjetëra aktiviteteve që po zhvillohen në kuadër të “Vitit të Nënë Terezës”. Kryetarja e Kuvendit tha se “në historinë kombëtare nuk ekziston një personalitet që t’i ketë dhënë vendit tonë më shumë emër dhe krenari, sesa emri i Nënë Terezës. Po të shohësh veprën e saj mund ta quash me të vërtetë si himni i dashurisë dhe i dhembshurisë për njerëzit e vetmuar, të margjinalizuar, të pashkolluar, të braktisur nga shoqëria”, - është shprehur Topalli. Sipas saj, “po të ndjekësh thëniet e Nënë Terezës, aty gjen jo vetëm gjithë dashurinë dhe gjithë dhembshurinë që qenia njerëzore duhet të transmetojë, por në fakt dhe në çdo akt dhe sjellje në jetën e saj, ajo tregon se dhembshuria është e kundërta e egoizmit dhe se dashuria është e kundërta e individualizmit. Çdo gjë që ajo ka bërë në jetën e saj e ka bërë të madhe këtë grua të vogël, të brishtë, ka bërë të madh emrin e shqiptarëve, ka bërë krenar emrin e Shqipërisë”, - është shprehur kryetarja e Kuvendit.
Prezantohet projekti për ndërtimin e një parku kombëtar shqiptar në Ohajo
Kryeministri Berisha priti dje në takim, kryetarin e shoqatës shqiptaro-amerikane në Klivlend të Ohajos në SHBA, Adem Meta. Kryetari Meta i prezantoi kryeministrit projektin për çeljen e Parkut Kombëtar Shqiptar në Klivlend të Ohajos, i cili do të mbajë emrin e humanistes së shquar Nënë Tereza. Parku do të jetë në formën e një amfiteatri, i cili në qendër do të ketë shtatoren e Nënë Terezës. Zoti Meta shprehu rëndësinë që ka hapja e këtij parku, duke theksuar se në Ohajo jetojnë 120 komunitete të ndryshme nga mbarë bota dhe vetëm 35 prej tyre kanë fituar të drejtën për të pasur Parkun e tyre Kombëtar, midis të cilëve edhe ai shqiptar. Në këtë park, tha ai, do të vendosen edhe figura të tjera të shquara kulturore të kombit tonë. Kryeministri Berisha e përgëzoi zotin Meta dhe shoqatën që ai përfaqëson për këtë iniciativë dhe u shpreh se qeveria do të japë kontributin e saj në realizimin e këtij projekti. Kryeministri u shpreh se është edhe më domethënës fakti që kjo iniciativë ndërmerret në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, këtij simboli të shquar të shqiptarëve të të gjitha kohërave.
18 Gusht 2010