E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, nesër fillon vaksinimi kundër A/H1N1

PRISHTINË- Ka arritur në Kosovë kontingjenti i parë i vaksinave kundër virusit A/H1N1, i përbërë nga 5000 doza, të cilat janë donacion i Qeverisë së Turqisë.
Lajmin e konfirmon zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili tha se këto vaksina pritet që gjatë ditës të vendosen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, përmes të cilit do të fillojë procesi i vaksinimit.

“Janë 5000, doza të cilat janë nga kontingjenti i vaksinave që Turqia i ka blerë për qytetarët e saj dhe me lutje të ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashi, homologu i tij turk, Rexhep Albak, këtë donacion e ka dedikuar për Kosovën”, konfirmon Hoti.

Deri më tani në Kosovë kanë vdekur dy persona si pasojë e infektimit me virusin A/H1N1, ndërsa thuhet se janë të infektuar edhe dhjetëra të tjerë.
Virusi, i cili ndryshe njihet si gripi i derrit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që nga shfaqja e tij, e deri më tani, ka pësuar mutacion. Mutacioni, sipas OBSH-së, është vërejtur në mostrat e marra te dy persona në Norvegji, të cilët humbën jetën nga ky virus.
(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›