“Tirana nuk është qyteti gri i pasdiktaturës”
ALMA MILE
Tanimë projekti i tij “Homo Urbanus Europeanus” ka shëtitur 23 vende të kontinentit të vjetër, e mund të thuash se tanimë, ai është një njohës shumë i mirë i Evropës. Pas këtij udhëtimi fotografik, artisti nga Montpelier, Jean Marc Caracci ka mbërritur edhe në Tiranë. Prej një jave fotografon ndërtesa e njerëz. E veçanta e projektit të tij është te ngjashmëria që ai gjen mes kryeqendrave të ndryshme në Evropë. Është një mënyrë artistike për të zgjeruar kufijtë e Evropës”, - thotë ai. I surprizuar nga Tirana, Caracci thotë se ky qytet është tërësisht ndryshe nga ç’e mendonte dhe ia vlen t’ia zbulosh botës.
Ndodheni në Tiranë për një projekt fotografik, ç’mund të na thoni më shumë?
Ky projekt titullohet “Homo Urbanus Europeanus” dhe nuk përfshin vetëm qendrat e Bashkimit Evropian, por në të gjithë Evropën, deri në Stamboll, Baku, Tbilisi etj. Në të vërtetë është një mënyrë artistike për të bashkuar Evropën. Unë jam për heqjen e kufijve, për një Evropë të madhe dhe kjo është një mënyrë për t’u thënë njerëzve që shikoni ca më tej, sepse mund të gjesh të përbashkëtat edhe në vende të ndryshme. Në imazhet e mia nuk fiksoj ato çka janë karakteristike për një vend, por imazhe që mund të jenë kudo, në Tiranë, Paris, apo diku tjetër. Ato ofrojnë raportin mes njeriut dhe qytetit, apo arkitekturës.
Çfarë kërkoni të zbuloni në këtë raport?
Unë nuk preferoj të bëj fotografi të karakterit social, ku evidentohen probleme apo që fokusohen tek varfëria etj. Më pëlqen të tregoj anën më energjike të qyteteve dhe në fotografitë e mia është gjithnjë dikush që ecën i qetë, krenar, në qytetin e tij, që ndihet mirë. Nuk më pëlqen të fiksoj njerëz të menduar. Pra, ideja është të tregoj anën pozitive të jetës urbane, pasi zakonisht tregohet një lloj idilizmi për fshatin. Sigurisht ka fshat, por ka edhe qytet...
Gjithsesi ju keni evidentuar edhe specifikat e çdo qyteti...
Sigurisht. Të gjitha qytetet janë të ndryshme, por unë ndalem në gjërat e ngjashme. Nuk fotografoj gjëra tipike, si Kulla Eifel, që është tepër e njohur. Në Tiranë është ca më ndryshe, sepse askush nuk e njeh. Kam bërë fotografi përballë muzeut, operës, por duke qenë të panjohura në Evropë, vështirë të thuash, shih se këtu është në Tiranë. Këtu kam gjetur shumë shpejt hapësirat e duhura, që i përshtaten stilit tim. Përpara Tiranës isha në Bukuresht, ku u mërzita shumë, sepse është një qytet i madh, por tepër i ngushtë. Këtu ka shumë hapësira të gjera, sheshe dhe ku mund të punoja lehtësisht.
Çfarë dinit më parë për Shqipërinë?
Nuk e njihja fare Shqipërinë dhe nëse do të shkoni në Francë, askush nuk di gjë për të dhe kur u thosha miqve të mi që do shkoj në Tiranë, më thoshin: “Uh la, la në fund të botës!”. Por si është e mundur që këtu nuk ka një organizim të mirë nga ana e qeverisë, nga institucionet që mbulojnë turizmin, në mënyrë që ta bëjnë këtë vend të njohur në botë?! Ka vende interesante, ku mund të argëtohesh, ku mund të takosh miqtë... Mendoja se Tirana do të ishte një qyteti i vogël, gri, me gjurmë të Bashkimit Sovjetik, por është një qytet mesdhetar, po ashtu si Montpelier, ku unë jetoj, ku ka tarraca, njerëz të qeshur. Ishte një surprizë e këndshme Tirana për mua.
Në këtë udhëtim nëpër Evropë, cilët do të veçonit si qytetet më interesante?
Veç Tiranës, më pëlqen Talini, në Estoni. Nuk e njihja më parë. Një qytet i vogël, simpatik, gjithë energji, që ka dalë prej pak kohësh nga Bashkimi Sovjetik, por që është zhvilluar shumë shpejt. Po të shohësh hartën, pranë tij ndodhet Helsinki, në Finlandë, një qytet që mua nuk më pëlqen, pasi nuk ka asgjë të re... Ndryshe nga Talini, që është një qytet i ri e ku ndihet dëshira për të bërë gjëra. Më pëlqen gjithashtu Lubjana, në Slloveni, Parisi është një qytet i mrekullueshëm, por nuk kam ndonjë preferencë për Brukselin, Berlinin apo Madridin. Unë jam njeri që eci shumë në këmbë, që shoh vende, kërkoj, zbuloj. Kam kënaqësi të eci.
Nëse kthehemi pas në kohë, si nisët të merreni me fotografinë?
Kam nisur në ushtri, ku isha në garnizonin e parashutistëve e nuk më pëlqente shumë. Kështu që përdora një truk. U thashë që jam fotograf, por nuk ishte e vërtetë. Kështu që më morën në ushtri për të bërë fotografi. Aty fillova të fotografoj vërtet, të mësoja punën në laborator, të bëja reportazhe. Më pas kisha një punë paralele, për të mbajtur veten, të cilën e lashë për t’iu kushtuar 100% fotografisë.
Autori
Fotografi me origjinë siciliane, i lindur në Tunizi dhe i rritur në Montpelier të Francës, ka një jetë që merret me fotografinë. Prej shumë vitesh po zhvillon projektin e tij “Homo Urbanus Europeanus”, i cili është pritur shumë mirë në 23 kryeqytete të Evropës. Pas Tiranës e pret Budapesti dhe Vjena. Në Tiranë do të rikthehet vitin që vjen për të hapur një ekspozitë me fotografitë e realizuara këto ditë.