E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, pas zgjedhjeve krijohet komuna veriore e Mitrovicës

Qeveria e Kosovës synon që para zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm, të formojë komunën veriore të Mitrovicës, siç parashikohet në planin e Ahtisaarit. Por, për të ndodhur një gjë e tillë, duhet bashkëpunimi i serbëve lokalë, të cilët aktualisht refuzojnë çdo plan të dalë nga institucionet e Kosovës. Nëse qeveria arrin të marrë bekimin e serbëve lokalë, komuna veriore e Mitrovicës mund të përurohet në vitin e ardhshëm, para mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Të paktën ky është synimi i Qeverisë së Kosovës, qeveri kjo, e cila në masë të madhe nuk njihet nga përfaqësues serbë të veriut të Mitrovicës. Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, që vetë ishte në krye të komunës së Mitrovicës, pranon se integrimi i qytetit, por edhe krijimi i komunës së re, është proces i vështirë. Por, ai shpreson se përmes afirmimit të procesit të decentralizimit, serbët lokalë do të ndryshojnë mendje. "Ne kemi siguruar një pjesëmarrje të konsiderueshme në këtë proces, por jo edhe në Mitrovicë dhe në veri. Ne do të vazhdojmë me afirmimin e këtij procesi. Nëse sigurohet përkrahja e qytetarëve, është e mundur që në zgjedhjet e ardhshme të instalohet komuna veriore e Mitrovicës. Ne duam që kjo të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm, por kjo varet nga vullneti i qytetarëve", thotë Ferati. Por, ata që e prezantojnë veten si përfaqësues të serbëve në Mitrovicë, nuk pajtohen që veriu i qytetit të shndërrohet në komunë nën kushtet e përcaktuara në propozimin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, dispozita të të cilit legjislativi tashmë i ka shndërruar në ligje. "Nuk pajtohemi me planin e Ahtisaarit. EULEX-i është këtu nën kushtet e vëna nga OKB-ja, e jo me planin e Ahtisaarit. Komuna e Mitrovicës veriore ekziston dhe ajo nuk do të krijohet as me planin e Rexhepit, e as me atë të Ahtisaarit", thotë Milan Ivanovic, nga Këshilli Nacional Serb, duke ofruar këtë si arsye për kundërshtimin e planit. Teksa sipas ministrit Ferati, dilema në krijimin e komunes veriore të Mitrovicës, nuk ka vetëm në mesin e serbëve, por edhe te vetë shqiptarët. Plani i Ahtisaarit parashikon që një rol në krijimin e komunës veriore të Mitrovicës ta luajë edhe Zyra Civile Ndërkombëtare. Zëdhënësi i kësaj zyre, Endi Mekgufi thotë se është më se i rëndësishëm bashkëpunimi i banorëve. Sipas autoriteteve të rendit, incidentet e fundit në pjesën veriore të Mitrovicës, kanë ngritur tensionet ndëretnike. Kjo mund të jetë edhe një nga shkaqet që mund të çojnë në vonesën e zbatimit në praktikë të procesit të decentralizimit në këtë komunë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›