Londër, bie çmimi i naftës në 40 dollarë
Çmimi i naftës në bursën e Londrës ka rënë në 40 dollarë për fuçi, që paraqet çmimin e saj më të ulët në katër vitet e fundit. Brenti evropian nga Deti i Veriut për dërgesë në muajin janar në bursën në Londër, për një moment ra në 40,63 dollarë për fuci, që paraqet çmimin e saj më të ulët prej janarit të vitit 2005. Megjithatë, më vonë çmimi i naftës u stabilizua në 40,77 dollarë për fuçi. Në të njejtën kohë, nafta e lehtë amerikane për dërgesën e janarit në Bursën e Nju-Jorkut ra në 42,98 dollarë për fuci, që gjithashtu është çmimi i saj më i ulët nga janari i vitit 2005. Rënia e çmimeve të naftës pasoi pas publikimit të të dhënave të Ministrisë amerikane të Punës, sipas të cilave, gjatë nëntorit vendet e tyre të punës i kanë humbur 533.000 amerikanë, që është numri më i madh i largimeve nga puna në një muaj në SHBA në 34 vitet e fundit. Në të njejtën kohë shkalla e papunësisë ka arritur në 6,7 përqind. Si pasojë e ashpërsimit të krizës ekonomike dhe paralajmërimet e kompanive të mëdha multinacionale për heqjen e numrit shtesë të vendeve të punës, nga fillimi i javës nafta ra me rreth 20 përqind, që paraqet rënien më të madhe të çmimit që nga marsi i vitit 2003. Që nga korriku i këtij viti kur nafta arriti çmimi rekord mbi 147 dollarë për fuci, çmimet e saj deri tani janë ulur më shumë se 70 përqind. Rënia e fundit e çmimit të naftës shkaktoi shqetësim midis anëtareve të OPEK-ut, ku kryetari Çakip Kelil, paralajmëroi se nëse çmimi mbetet në këto nivele, në takimin e ardhshëm të kartelit, caktuar më 17 dhjetor do të aprovohet një vendim për zvogëlimin shtesë të kuotave ditore të prodhimit të arit të zi.