Kosove, plagosje pas Vitit te Ri

Policia e Kosovës raporton sot për disa incidente dhe plagosje trupore si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit. Në total është raportuar për 13 persona të plagosur nga fishekzjarret dhe gjashtë persona nga armët e zjarrit.
Në Kamenicë, si pasojë e fishekzjarrëve është djegur një objekt me ushqim të kafshëve, kurse në Gjilan është djegur tarraca e një banese, edhe kjo si pasojë e përdorimit të fishekzjarreve.
Policia e rajonit të Prizrenit raportoi se në fshatin Romajë të Hasit, një mashkull dhe një femër janë plaguar me fishekzjarre. Në mënyrë të njëjtë janë plagosur edhe dy meshkuj në Prizren, pastaj një tjetër në rrugën Besim Shala, po ashtu, në Prizren, kurse një fëmijë 12 vjeçar ka pësuar plagë të rënda në kokë nga një plumb qorr. Në Brezne të komunës së Sharrit (Dragashit), si pasojë e fishekzjarrëve është djegur një objekt me ushqim të kafshëve.
Në rajonin e Mitrovicës, në fshatin Kopiliq të Skenderajt është plagosur një mashkull dhe dyshohet se plaga është shkaktuar nga një plumb qorr.
Nga rajoni i Ferizajt raportohet për një fëmijë 7-vjeçar më plagë në këmbë, gjithashtu nga plumbi qorr, kurse në fshatrat Mirosalë, Pleshinë, Lloshkobare, Greme, në dy raste në qytetin e Ferizajt, pastaj në Shtime, në Sllatinë të Vitisë dhe në Lubizhdë janë regjistruar plagosje nga fishekzjarret. Ndërkaq, në Prishtinë, në rrugën Rexhep Gjeli, një femër dyshohet të jetë plagosur nga plumbi qorr.