Kosovë, polemika për imunitetin, Thaçi: Nuk do i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, Kantrimen ishte i qartë në deklaratën e tij

“Qeveria është ekzekutivi dhe pushtetet janë të ndara. Në asnjë rrethanë nuk duhet të ketë interferime me autoritetet kushtetuese dhe ligjore””. Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili deklaroi se Qeveria e tij nuk do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar çështjen e imunitetit të deputetëve.
Ai përsëriti edhe njëherë se pushtetet janë të ndara dhe se nuk do të ketë interferime në Kushtetutë dhe ligje.
“Unë nuk jam ai që do ta interpretoj Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pushtetet janë të ndara. Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i kryejë obligimet e veta plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës, por edhe me ligjet. Qeveria është ekzekutivi dhe pushtetet janë të ndara. Në asnjë rrethanë nuk duhet të ketë interferime me autoritetet kushtetuese dhe ligjore”- ka thënë Thaçi.
Këto komente, kryeministri Thaçi i bëri gjatë vizitës në Rufc të Ri të Komunës së Lipjanit, ku së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Blerand Stavileci kanë përcjellë fushatën e korrje-shirjes. Me këtë rast ata vizituan edhe parcelën e fermerit Skënder Hyseni në fshatin Rufc të Ri të Komunës së Lipjanit.
Fatmir Limaj: Vetëm 61 votat e deputetëve mund të më marrin imunitetin
Deputeti i PDK-së, Fatmir Limaj, ka thënë se të gjithë ata që duan ta eliminojnë politikisht ta harrojnë këtë gjë, pasi mundësia e vetme e neutralizimit është përmes burgosjes. Ai ka pohuar për RTK-në, se nëse imuniteti nuk i merret në Kuvend me 61 vota, çdo veprim tjetër do të jetë i paligjshëm. Limaj ka pohuar se edhe mund ta arrestojnë në ndërkohë, por kurrsesi ta eliminojnë politikisht.
Çështja “Haradinaj”, komuniteti shqiptar në SHBA do protestojë të hënën para selisë së OKB
Sipas një njoftimi për shtyp, komuniteti shqiptar në SHBA, ditën e hënë në 18 korrik, do të organizojë një protestë para selisë së OKB-së në Neë York, për mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
Sipas organizatorit, “në këtë protestë do të kërkohet që të ndalen proceset e montuara kundër ish-ushtarëve të UÇK-së, të lirohen të burgosurit të cilët po vuajnë dënimin e tyre, pasi kanë qenë luftëtarë të lirisë, të përshpejtohet rigjykimi ndaj Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij dhe të rikonfirmohet pafajësia”. Protesta do të fillojë ne orën 13.00 dhe do të zgjasë deri në orën 15.00, përfundon me tej deklarata.