Kosovë, policia merr nën kontroll edhe portën 1

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi ka konfirmuar se forcat e policisë, kanë marrë kontrollin edhe në pikën 1 në Jarinje. “Kemi pritur se mund të ketë vështirësi. Por, situata është qetë. Tani është shtrirë sovraniteti, dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm”, ka thënë Rexhepi. Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, policia e Kosovës ka ndërmarrë nën kontroll të pikës kufitare 1 dhe 31, të cilat ndodhen në pjesën veriore të Kosovës.
Ministri Rexhepi ka konfirmuar se për realizimin e aksionit nuk ka pasur koordinim me EULEX-in, i cili është përgjegjës për kontrollin e pikave kufitare në veri, meqë autoritetet e Prishtinës, për shkak të kundërshtimit të serbëve lokalë, nuk kanë arritur kontrollin atje.
Nga ana tjetër, lideri i serbëve lokalë të Mitrovicës , Radenko Nedeljkoviç ka konfirmuar se policia e Kosovës ka marrë nën kontroll pikën kufitare në Bërnjak, apo portën 31.
Aksioni i policisë vjen disa ditë pas vendimit të qeverisë për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë duke pamundësuar kështu hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.