E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, protesta kundër nënshkrimit të Protokollit

"Serbisë viza për udhëtim, Hashimit udhërrëfyes për nënshtrim", "Bac u kry - e shitën Kosovën", "Jakup Krasniqi, zëdhënës i UÇK-së më 1999, zëdhënës i EULEX më 2009", "Kosova në BE, jo nën BE", "Jo EULEX-it", "BAC u KRYmb", janë vetëm disa nga parullat që janë shpalosur të hënën nga protestuesit gjatë demonstratës së organizuar nga rrjeti i 20 organizatave joqeveritare të Kosovës për të kundërshtuar nënshkrimin e protokollit EULEX-Serbi. Manifestimi nisi në ambientet përpara Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, në Prishtinë, por sipas mediave kosovare nuk ka patur shumë protestues. Më pas protesta ka vijuar përpara institucioneve të vendit, për të përfunduar përpara selisë qendrore të EULEX-it. Visar Imeri , përfaqësues i Lëvizjes "Vetëvendosje", në fjalën e mbajtur para Bibkliotekës, tha se nënshkrimi i protokollit për bashkëpunim policor EULEX-Serbi, i jep qasje Beogradit në dokumentet dhe dosjet e Policisë së Kosovës, ndërsa e kundërta nuk vlen edhe për Beogradin. Gjithashtu ai ka kritikuar edhe nënshkrimin e protokolleve të tjera që janë paralajmëruar në fushën e doganave dhe të gjyqësisë, duke vlerësuar se në këtë mënyrë Kosovës jo vetëm që i mohohet pavarësia, por edhe i pamundësohet që edhe në të ardhmen ta ushtrojë atë. Organizatorët e demonstratës kanë akuzuar krerët e institucioneve shtetërore të vendit, të cilët sipas tyre, nuk punojnë për Kosovën dhe popullin e saj, por për interesa të veta.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›