Kosovë, qeveria sfidon Kuvendin për marrëveshjet

Hajredin Kuçi
Qeveria e Kosovës nuk ka bërë ende publike asnjërën nga marrëveshjet e arritura në dialogun më Serbinë, duke u mjaftuar me komunikatat për mediat, të lëshuara nga zyra e ndërmjetësit Robert Kuper dhe përmes konferencave për shtyp të kryenegociatores Edita Tahiri. Sipas mediave kosovare, në raport me Kuvendin, qeveria e ka shmangur deri tani ratifikimin e këtyre marrëveshjeve, duke i prezantuar si konkluzione gjatë disa debateve të zhvilluara me ligjvënësit kosovarë. Zv.kryeministri Hajredin Kuçi tha se qeveria nuk po i shmanget ratifikimit, por i duhet të shikojë natyrën e marrëveshjeve. Duhet ta shikojmë se çka është marrëveshja, si shkon ajo te faza e nënshkrimit, te faza e ratifikimit dhe çdo gjë që është e paraparë me Kushtetutë, ne e përfundojmë, tha Kuçi. Gjatë javës së kaluar, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka bërë thirrje qeverisë që ta njoftojë Kuvendin me arritjet në dialogun me Serbinë. Deputetët duhet ti marrin përgjegjësitë që kanë para qytetarëve të Kosovës dhe të jenë në dijeni për këto bisedime, pati deklaruar Krasniqi.