E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtari amerikan vret 16 civilë afganë në gjumë

Viktimat e sulmit të ushtarit amerikan

Viktimat gra e fëmijë, ushtari me shqetësime nervore u dorëzua në NATO.

Gjashtëmbëdhjetë civilë të pafajshëm afganë, përfshirë nëntë fëmijë dhe tri gra, u ekzekutuan në mes të natës në shtëpitë e tyre nga një ushtar amerikan, i cili doli nga baza dhe hapi zjarr kundër tyre, për shkak të problemeve mendore. Ushtari ka hyrë në tri shtëpi dhe i ka vrarë banorët ndërsa ata flinin. Një prej të afërmve të viktimave tha se ai kishte hedhur kimikate mbi trupat e tyre dhe u kishte vënë flakën. Pas kësaj, ushtari amerikan thuhet se është dorëzuar në autoritetet ushtarake amerikane dhe është aktualisht nën mbikëqyrjen e tyre. Sulmi po thellon më shumë tensionet mes dy vendeve, të cilat ishin të ndezura me djegien e kopjeve të Kuranit në një bazë amerikane, një ngjarje që shkaktoi protesta të dhunshme në të cilat humbën jetën 30 persona. Një fotograf i Associated Press raportoi se ai i pa  trupat e afganëve, disa prej tyre të djegur e të mbuluar me batanije, në një fshat në provincën Panjuai të Kandaharit. Majori Xhezon Vagoner, tha se të shtënat mbi civilët nuk ishin pjesë e asnjë operacioni. Ushtari ka vepruar me mendjen e tij dhe më pas u dorëzua. Presidenti amerikan, Barak Obama, u njoftua në mëngjes për ngjarjen. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhosh Ërnest, tha në një deklaratë se: Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga raportet e para mbi këtë ngjarje dhe po e monitorojmë situatën nga afër.  Fermeri që humbi 11 anëtarët e familjes së tij, Haji Samad Khan, tha se askush në asnjë fe të botës nuk lejohet të vrasë gra dhe fëmijë. Karzai duhet të dënojë vrasësin amerikan, ose vendimin do ta marrim ne, tha ai për AP. Pas incidentit, Ambasada Amerikane ka lëshuar paralajmërime për të gjithë shtetasit e saj që jetojnë në Afganistan. Në një deklaratë për median thuhet: Talebanët afganë mund të hakmerren për vdekjet. Sipas Al Jazeera, ushtari ka hyrë në tri shtëpi të ndryshme rreth orës 03:00 të mëngjesit në errësirë totale dhe ka qëlluar civilët të cilët po flinin. Një banor i fshatit Alkozai, ku ndodhi ngjarja, tha për AP se 16 persona janë vrarë kur ushtari amerikan hyri në tri shtëpi dhe nis të qëllonte.

Deklarata e Karzait
Presidenti afgan, Hamid Karzai, e dënoi sulmin si vrasje dhe kërkoi një shpjegim nga SHBA-të për këtë. Karzai tha në një deklaratë shtypi se ka dërguar autoritete të nivelit të lartë për të hetuar ngjarjen dhe do të nxjerrë një raport të plotë. Edhe NATO ka nisur një hetim. Kjo është vrasje, vrasje e qëllimshme e civilëve të pafajshëm dhe nuk mund të falet, tha Karzai në një deklaratë, duke shtuar se ai vazhdimisht u ka bërë thirrje amerikanëve që të ndalin vrasjen e civilëve afganë.

6 ushtarë të NATO-s janë vrarë gjatë javëve të fundit në Afganistan nga kolegët e tyre afganë, përfshirë edhe një komando shqiptar 31-vjeçar. Që nga viti 2007, trupat afgane kanë vrarë 58 aleatë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›