E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata zbutet për banorët e Hamallajt, lirohet i dyti



DURRES/ OERD ULQINI

Gjykata e Durrësit “zbut” masat shtrënguese në ngarkim të të pandehurve të fundit të çështjes “Hamallaj”. Këtu ka ndikuar edhe një letër e Bashkisë së Sukthit, në adresë të togave të zeza të Durrësit, në të cilën bashkia që administron Hamallajn i kërkonte togave të zeza masa më lehtësuese. Gardiani Gazmir Hasanpapaj lihet 10 ditë në burg, në dispozicion të hetimeve, ndërsa ndaj të pandehurit tjetër Avni Rustemaj gjykata merr masën “detyrim paraqitje”. Ky i fundit mësohet se kishte një gëzim familjar këto ditë, ngjarje që u mor parasysh nga gjykata, bashkë me faktin se asnjë prej dy të arrestuarve nuk ka pasur më parë precedent penal. Ashtu sikurse edhe në masën e sigurisë, në ngarkim të shtatë të pandehurve të parë, edhe kësaj here gjykimi iu besua gjyqtarit Rexhep Bekteshi, ndërsa prokurori i çështjes ishte Vladimir Mara. Nga ana e tyre, pala mbrojtëse kërkoi në sallë lirimin e të arrestuarve, pasi sipas saj kanë impenjime familjare si dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore. Megjithatë, trupi gjykues ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorit me lehtësi, në afat për Hasanpapajn, ndërsa vendosi lirimin për Rustemajn. Pak orë pas përleshjeve në urën e Hidrovorit në Hamallaj, policia e Durrësit arrestoi në harkun e 35 orëve 9 shtetas të dyshuar për lëndimin e policëve specialë. Identifikimi i tyre u mundësua nga analizimi i pamjeve filmike, të momenteve kur forcat e policisë së FNSH-së u goditën me mjete të forta nga banorët, madje duke u qëlluar dhe me shishe benzine. Ndërsa 7 prej të arrestuarve janë ende në burg, 4 prej të cilëve do të qëndrojnë pa afat, kreu i Inspektoratit Ndërtimor, Gjergj Bojaxhi, deklaroi dje për mediat se aksioni nuk do të ndërpritet. Sipas tij, në bashkëpunim me policinë, do të ndërhyhet shumë shpejt në Hamallaj dhe në pjesë të tjera të bregdetit, për të çuar deri në fund operacionin. Ai pohoi se në zona në varësi të Bashkisë Sukth dhe të komunës Ishëm janë 450 objekte pa leje, një pjesë e të cilave janë prishur në aksionet e kryera para ngjarjes së Hamallajt. Në momentin kur do të japë viston policia e rendit, pritet që fadromat të hyjnë në zonën e ndaluar. Bojaxhi është shprehur se pjesa më e madhe e ndërtimeve janë ngritur pas vitit 2006-2007 dhe nuk janë pjesë e procesit të legalizimit. Nga ana e tyre, banorët e Hamallajt deklaruan për gazetën, një ditë pas përleshjes me specialët e FNSH-së se nuk do të lejojnë që Ndërtimorët të hyjnë e të shkatërrojnë shtëpitë e tyre. Ata pretendojnë se nuk kanë shkelur ligjin e urbanistikës, meqenëse bëhet fjalë për zonën turistike, si dhe janë interesuar prej vitesh tek ALUIZNI për të kryer legalizimin e objekteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›