E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, së shpejti formohet Ministria e Integrimit

PRISHTINE- Në kuadër të angazhimeve dhe përgjegjësive që ka Kosova në procesin e integrimit evropian, përfaqësuesit e ekzekutivit kosovar thonë se së shpejti pritet të publikohet vendimi për krijimin e Ministrisë për Integrime Evropiane.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2010 ministria e re pritet të nisë punën.

“Kryeministri, në shenjë të angazhimeve për fushën e integrimeve evropiane, ka vendosur që të themelohet një ministri për integrime evropiane. Mendojmë se atë vendim do ta marrë sa më shpejt që është e mundur, në kohën e duhur dhe duke dashur që të koncentrohen punët për integrime evropiane në një vend, por natyrisht edhe të koordinohen nga një vend”, ka thënë ai.

Për liberalizimin e vizave dhe për integrim në Bashkimin Evropian, Kuçi theksoi nevojën e një përkushtimi më të madh të institucioneve të vendit. Ai shprehu bindjen se me krijimin e Ministrisë për Integrime, do të lehtësohet edhe rruga drejt BE-së.

Në Kosovë përflitet se ish- Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi mund të jetë në krye të kësaj ministrie. Në një prononcim për Europa e Lirë, Rexhepi ka thënë se do ta pranonte me kënaqësi këtë post nëse do t’i ofrohej.

Aktualisht, i vetmi institucion kompetent që merret me procesin e integrimit të Kosovës në BE është Agjencia për Koordinimin, Zhvillim dhe Integrim Evropian, e cila vepron në kuadër të Zyrës së kryeministrit Thaçi
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›