Korrupsioni, nën hetim inxhinierja e Drejtorisë Arsimore
KORCE.- Një inxhiniere e Drejtorisë Arsimore të Rajonit të Korçës, është vënë nën hetim nga sektori i Antikrimit ekonomik të policisë, për abuzime të mundshme me tenderat e transportit të mësuesve. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, policia e Korçës bëri të ditur se dje ka filluar procedimi penal për Frida Shkodranin, inxhiniere e prokurimeve në Drejtorinë Arsimore të rrethit. "Procedimi penal ndaj inxhinieres Frida Shkodrani ka filluar pas denoncimit të bërë në polici nga një mësues", - pohojnë për "Gazeta Shqiptare" drejtues të policisë së Korçës. Sipas policisë, ajo akuzohet për shpërdorim detyre gjatë organizimit prej disa vitesh të tenderave për transportin e mësuesve në të gjitha shkollat e rrethit të Korçës. Mësohet se nga dokumentet që ka verifikuar paraprakisht policia, ka rezultuar se transporti është bërë pa tender, gjë që përbën shkelje të ligjit. "Nga hetimet e para ka rezultuar se për disa vite, nga ana e DA-së nuk janë zhvilluar tenderat për caktimin e pronarëve që do të transportonin me automjetet e tyre mësuesit në shkolla. Edhe pse është bërë njoftimi në datën e organizimit të tenderave, procesi nuk është realizuar, por transporti u është dhënë të njëjtëve njerëz nga viti në vit", - shtojnë burime të policisë lokale. Të njëjtat burime shprehen se çështja penale në ngarkim të inxhinieres së prokurimeve është hapur në datën 12 nëntor, por për shkak se denoncimi është bërë ndaj Drejtorisë Arsimore, Shkodrani do të ndiqet në gjendje të lirë. Në DA të rrethit rezervohen të japin hollësi për këtë akuzë. Drejtoria Arsimore e Korçës ka miratuar 17 linja për transportin e mësuesve në shkolla.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)