Kosovë, serbët bllokojnë sërish qarkullimin e EULEX-it

Serbët e veriut të Kosovës kanë bllokuar sërish disa automjete të EULEX-it. Sipas mediave serbe automjetet të cilat ishin nisur për në vendkalimin kufitar Jarinë janë penguar nga serbët e Zveçanit në vendin e quajtur Dolani. Sipas mediave, autokolona e EULEX-it më pas është kthyer në drejtim të Zubin Potokut, përkatësisht në fshatin Jagnjenicë.
Burimet e njëjta kanë cituar përfaqësuesit e serbëve të Zveçanit të kenë thënë se janë marrë vesh me përfaqësuesit e KFOR-it dhe të EULEX-it, që deri nga mesi i javës që vjen, të lejohet "qarkullimi i përfaqësuesve të EULEX-it vetëm me nga 3 automjete në ditë dhe që në to të mos ndodhen doganierë kosovarë".
Arsyeja e bllokimit, sipas tyre, është se EULEX-i ka pasur më shumë se aq automjete, të cilat kanë qarkulluar në drejtim të Jarinës.
Ky bllokim i lëvizjes së lirë të misionit evropian është i katërti me radhë vetëm në ditët e fundit.
Të mërkurën e ardhshme, sipas mediave serbe, duhet të mbahet mbledhja e rregullt e përfaqësuesve të serbëve lokalë dhe të misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Serbët kanë shkaktuar pengesa të qarkullimit të lirë në veri që nga korriku i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka organizuar aksionin për shtrirjen e autoritetit të saj edhe në këtë pjesë të vendit.