Targat e Kosovës, Stefanoviç i “ankohet” Cooperit
Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanoviç, ka thënë se Prishtina duhet t`i ndalojë përpjekjet e saj për t`iu imponuar “qytetarëve të Serbisë” targat dhe dokumentet personale të Kosovës”.
Në lidhje me këtë, ai ka thënë se do të bisedojë me ndërmjetësin evropian në bisedime, Robert Cooper, përmes video-linkut.
“Me Cooperin do të bisedojmë për disa probleme që janë shfaqur ndërkohë dhe që paraqesin abuzime të Prishtinës kur janë në pyetje targat e qytetarëve tanë në Kosovë dhe dokumentet e tyre”, ka thënë Stefanoviç për mediat serbe.
Sipas tij, një praktikë e tillë “duhet të marrë fund”.
Autoritetet kosovare dhe ato të misionit evropian EULEX kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë qarkullimin e automjeteve me targa të vjetra serbe, duke thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës që nga 1 qershori duhet t`i pajisin automjetet e tyre me targat “KS” ose “RKS”, letërnjoftimin dhe patentat e Kosovës.