Kosovë, sot votohet në Prizren dhe Lipjan

Qytetarët e Prizrenit dhe Lipjanit votojnë sot për të tretën herë për të zgjedhur kreun e tyre komunal me ofertat që vijnë nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Në Prizren garon kandidati i PDK-së, Ramadan Muja dhe ai i LDK-së, Hanefi Muharremi të cilët edhe gjatë fushatës së fundit pesëditore përsëritën premtimet e dhëna muaj më parë. “Do të fitojmë përsëri, sepse vetëm atëherë i japim vlera të kuptimit qytetit tonë të përfaqësuara në konceptin qeverisës për katër vite të ardhshme,” tha Muja ndërsa kryetari i partisë së tij, Hashim Thaçi në përmbyllje të kësaj fushate u shprehë se “fitorja e Mujës do të jetë shumë bindëse, prandaj ai është në Prizren që të ju uroj fitoren e tretë radhazi.”
Ndërkohë kandidati i LDK-së për Kryetar të Prizrenit, Hanefi Muharremi
tha se koalicioni “Lidhja për Prizrenin” ka një platformë të qartë ku do
të sundojë ligji dhe lufta kundër korrupsionit. Për ti shprehur
mbështetjen Muharremit ishin Nënkryetari i LDK-së, Eqerem Kryesiu dhe
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj.
Edhe në Lipjan, Kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, iu
rikonfirmua mbështetja e kreut të partisë Hashim Thaçi.“E di që ka
ndodhur padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Lipjanit, duke iu imponuar
përkundër vullnetit tuaj të shprehur edhe një rivotim,sepse Shukri Buja
fitoi herën e parë, herën e dytë dhe Shukri Buja së bashku me aleatët
politikë dhe koalicionin me qytetarët e Lipjanit do të shënojë fitoren e
tretë radhazi,“tha Thaçi i shoqëruar me aleatët e AKR-së dhe LDD-së.
Ndërsa rivali i tij nga LDK, Imri Ahmeti duke bërë thirrje për një
proces të rregullt gjatë ditës së sotme tha se ai dhe partia e tij do ta
pranojnë rezultatin e votimeve.
Agim Popoci
Azhornuar së fundi ( e diel , 31 janar 2010 )
< I mëparshmi