PS, Dokle: PD, barriera për të devijuar nga kërkesa e KE-së
Deklaratat e një dite më parë të përfaqësuesve të maxhorancës, lidhur me tryezën politike që duhet të organizojë presidenti Topi, për socialistët janë presione për ta shmangur atë. Deputeti i selisë rozë, Namik Dokle deklaron se Partia Demokratike, po ngre barriera të qëllimshme, për të devijuar nga kjo kërkesë e rezolutës së Asamblesë të Këshillit të Europës.
"Asambleja kërkoi hetimin e zgjedhjeve, kurse ata dredhojnë nëpër
labirinte pa rrugëdalje. Asambleja do të dërgoj komision monitorimi për
zgjidhjen e krizës, kurse ata ngrenë barriera për të fshehur të
vërtetën. Asambleja kërkoi dialog në tryezën politike të presidentit,
kurse ata përpiqen ta shumëzojnë me zero e ta bëjnë inekzistent me
presione te ndryshme", deklaroi Dokle.
Selia rozë e sheh urgjente nevojën për te zgjidhur krizën e konfirmuar
dhe nga ndërkombëtarët, por thekson se në mungesë të dialogut, do të
këmbëngulë në qëndrimin e saj.
"Me rrugë ligjore, apo me protesta demokratike, opozita do ta çojë deri
në fund aksionin e saj politik dhe emancipues, do ta çojë deri në fund
realizimin e kërkesave të saj për hetim dhe transparencë të plotë të
procesit zgjedhor: në kuti dhe jashtë kutive", tha Dokle.
Elona Gjylmi