Kosovë, strukturat paralele kërkojnë ndihmë nga Ban Ki-moon

Të ashtuquajturit kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës, përmes një letre dërguar sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, kanë kërkuar parandalimin e përdorimit ilegal, brutal dhe joproporcional të forcës dhe aksionet ushtarake, ndaj civilëve në veri të Kosovës.
Në letër, përshkruhet edhe shqetësimi i banorëve serbë në veri, se veprime dhe aksione të tilla do të vazhdojnë sërish në një të ardhme të afërt, për ç`ka dëshmon se KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës do të zbatojnë aksione të cilat do të kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e qytetarëve në veri, e ndoshta edhe të ushtarëve të KFOR-it dhe pjesëtarëve të EULEX-it.
“Kërkojmë nga ju të ushtroni mandatin tuaj, që ju është besuar dhe të informoni Këshillin e Sigurimit, si dhe Kuvendin, në mënyrë që të parandalohet operacioni i cili mund të ketë pasoja katastrofale”, thuhet mes tjerash në këtë letër.