Kosovë, sulmohen dy automjete zyrtare në veri

Dy automjete zyrtare janë sulmuar në mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës, ndërsa dyshohet edhe për një person të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën që çon për në Zubin Potok ndërsa ende nuk dihen motivet e ngjarjes.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, theksoi se bëhet fjalë për një veturë të Policisë së Kosovës dhe një të misionit evropian për sundimin e ligjit.
“Sot, rreth orës 9 të mëngjesit, në rrugën që të çon për në Zubin Potok janë sulmuar dy automjete zyrtare, një i Policisë së Kosovës dhe një i EULEX-it”, ka bërë të ditur Kelani.
Incidenti në veri të Mitrovicës vjen në kohën kur në Kosovë po qëndron Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin.
Ky i fundit ka paralajmëruar mundësinë e anulimit të vizitës në disa pjesë të tjera të vendit për shkak të ngjarjeve të mëngjesit të sotëm në veri.
Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet vatër tensionesh për shkak të kundërshtimeve të banorëve lokalë ndaj autoritetit shtetëror të Kosovës.