E Diel, 1 Nëntor 2026

Wollfarth në burgun e Zaharisë: Presim përmirësim të shërbimeve mjekësore

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, vizitoi sot institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale të Zaharisë, në Krujë, për të parë kushtet e jetesës së personave që vuajnë dënimin. Si shtet pjesëmarrës i OSBE-së, Shqipëria është angazhuar t`i trajtojë të gjithë personat e privuar nga liria me humanizëm dhe respekt për dinjitetin e tyre. Veçanërisht, Shqipëria është zotuar të marrë masa, sipas nevojës, për të përmirësuar kushtet për individët e ndaluar apo të burgosur.
 

Duke theksuar mandatin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në provimin e të drejtave të njeriut, ambasadori Wollfarth tha:

"Ka pasur përmirësime domethënëse në sistemin e burgjeve, përmes ndërtimit të mjediseve të reja dhe ngritjes së sistemit të ri të shërbimit të provës, ky i fundit me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së. Ne presim të shohim një përmirësim të mëtejshëm të shërbimeve mjekësore profesionale në të tërë sistemin e burgjeve, një fushë ku institucionet shqiptare duhet të bëjnë akoma përparim".
 

Wollfarth tha se kjo është veçanërisht e vërtetë për burgun e Zaharisë, ku vuajnë dënimin të burgosur me probleme mendore, për të cilët gjykata ka urdhëruar trajtim mjekësor të detyrueshëm.Ai vlerësoi stafin e burgut për nivelin e lartë të përkushtimit profesional, megjithë kushtet shumë sfiduese dhe të vështira ku punojnë.
 

Në cilësinë e kreut së nënkomitetit për reformën e burgjeve të Konsorciumit Ndërkombëtar - një grup i ngritur për të bashkërenduar ndihmën ndërkombëtare në Shqipëri - Prezenca e OSBE-së u kushton vëmendje shtesë të drejtave të të burgosurve, në mënyrë që ata të trajtohen me humanizëm, dinjitet dhe respekt. Bazuar në monitorimin e vendeve të vuajtjes së dënimit, Prezenca ka përgatitur rekomandime praktike për të ndihmuar autoritetet shqiptare në përmirësimin e situatës në burgje.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›