Kosovë, trafik organesh, ndalohen 2 doktorë
PRISHTINE- Dy doktorë të cilët akuzohen se kanë kryer transplante organesh ilegale janë arrestuar në Prishtinë ndërsa janë marrë në pyetje 7 persona të tjerë. Sipas agjencisë së lajmeve Rojters arrestimi i mjekëve është bërë të mërkurën.
Policia kosovare kishte nisur një hetim pasi një shtetas turk, i cili kishte dëshmuar se kishte mbërritur në Prishtinë për të dhuruar një veshkë, ishte ndaluar të martën në aeroport në tentativën për tu kthyer në Turqi.
Policia ushtroi kontroll në një shtëpi dy katërshe, e cila dyshohet se përdorej si klinikë private në periferi të Prishtinës dhe gjeti drogë dhe qese plastike me gjak.
“Ne identifikuam një qytetar izraelit i cili besohet se ka marrë veshkën e donatorit turk”- tha zëdhënësi i policisë së Kosovës Veton Elshani për Reuters.
Për trafikun e organeve, hetime të shkëputura nga rasti në fjalë po zhvillohen në Serbi. Gjykata e Krimeve të Luftës në Serbi po heton mbi dyshimet e trafikut të organeve të serbëve të Kosovës gjatë konfliktit mes forcave serbe dhe ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Prokuroria e Krimeve të Luftës në Serbi pretendon se gjatë luftës në Kosovë në 1999, mbi 300 serbëve, romëve dhe jo shqiptarëve nga Kosova i janë hequr organet në të ashtuquajturën klinikë transplanti në Gurrë të Matit. Aludimet janë publikuar dhe nga ish kryeprokurorja e Hagës Karla del Ponte në librin e saj “Gjuetia”
(s.g/BalkanWeb)