Rama: Dialog? Pasi të hapen kutitë e të marren mbrapsht akuzat
FIER- Kreu socialist Edi Rama i përgjigjet thirrjeve të mazhorancës për tu rikthyer në Parlament duke theksuar se PS do të jetë e gatshme për dialog pasi qeveria të heqë dorë nga vendimi për mos hapjen e kutive të votimit dhe pasi të marrë mbrapsh shpifjet e akuzat. “Opozita do ta bëjë 2010-ën vitin e ndarjes nga ky pushtet. Pa ndalur asnjë cast të sharat dhe të palarat , kur na shkelin mbi varrin e familjarëve tanë, na ftojnë në parlament për dialog tani që karrigia po ju xhytet në qelb. Dialog po, por më parë të marrë të shkojë në vend kërkesa e opozitës, të hapen kutitë e votimit” deklaroi kreu socialist gjatë protestës së radhës së opozitës në qytetin e Fierit. Ashtu sic theksuar edhe në protestat e tjera të valës së dytë të aksionit politik të PS, Rama jep nga Fieri alarmin për gjendjen e vështirë ekonomike të vendit e të qytetarëve shqiptarë të cilët po paguajnë krizën e sjellë sipas Ramës nga kreu i qeverisë Sali Berisha. “Sa herë e paralajmëruam Berishën të merrte masa kundër krizës për të mbrojtur popullin por fatkeqësisht Berisha nuk dëgjoi këmbanën tonë dhe as këmbanën e FMN, duke e lënë vendin në rënie të lirë vetëm që të rrinte vete në majën ku ka mbetur si gjel deti mbi kutitë e votimit”. Duke e vënë theksin në rritjen e cmimit të energjisë elektrike, vështirësitë ekonomike me të cilat do të përballen qytetarët dhe bizneset gjatë vitit që po troket, Rama ritheksoi vendosmërinë e opozitës për të cuar deri në fund betejën për hapjen e kutive të votimit, ku sipas tij fshihet vendimi i shqiptarëve “për tu qeverisur nga një politkë që hallin që nuk e zgjidh e qan me sinqeritet”. “Me siguri biznesmenët e vegjël nuk e kanë marrë vesh akoma se çmimi i energjisë nuk është rritur 13 por 22%. Shqipëria e ka të pamundur të festojë, kjo Shqipëri po përballet me mosmarrjen e rrogës në vigjiljen e vitit të ri. Hap kutitë ose largohu gënjeshtar sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re” theksoi kreu i opozitës. Sipas kryesocialistit, Berisha ka humbur të drejtën për të qeverisur jo vetëm për vjedhjen e votave por për mohimin e të drejtës së popullit për të parë votën e tyre. “Sali Berisha ka humbur të drejtën për të qeverisur se ka ndaluar hapjen e kutive të votimit ku mban peng të ardhmen e shqiptarëve.E drejta për të votuar lirisht e për të parë votën është e drejtë themelore të cilën do ta kërkojmë me forcë në cdo shesh deri në lirinë e vërtetë të zgjedhjeve, deri në largimin e Sali Berishës.” theksoi Rama. (e.n/BalkanWeb)